Me 475 vota pro, 97 kundër dhe 76 abstenim, rezoluta e austriakes së
gjelbër Ulrike Lunaçek u votua me shumicë dërrmuese në seancë plenare në
Bruksel, duke hedhur poshtë të gjitha amendamentet e propozuara nga një
grup i aleancës progresiste të socialistëve dhe demokratëve, të
përfaqësuar nga çeku Libor Rouçek.

PE arriti të bëjë atë që nuk e ka bërë as vetë qeveria e Kosovës, me hedhjen poshtë të amendamentit 13 për “footnote”n, apo shpjegimet plotësuese për Kosovën, ndërsa votoi pro pjesmarrjes së vendit në Lojrat Olimpike të Londrës.

“Dua të shtoj 12 amendamente që i referohen zhvillimeve të fundit, dhe ju kërkoj mbështetjen tuaj për to. Ka një kërkesë nga grupimi S&D që kërkon me amendamentin 13 ndryshimin e paragrafit të parë. Por unë do t’ju kërkoja që nëse nuk i kalojmë në paragrafin e dytë, të votonit kundër pasi këto çështje mbulohen në paragrafin e dytë”, tha Lunacek.

Rezolutat e Parlamentit Europian për çështje të politikës së jashtme të BE-së, nuk kanë asnjë fuqi ligjore. Ato kanë vetëm rol këshillimor ndaj Komisionit dhe vendeve anëtare, për qëndrimin e Parlamentit ndaj një çështjeje të caktuar.

Përveç thirjeve të përsëritura për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga pesë vendet anëtare të BE-së, rezoluta e Lunaçek kritikon Prishtinën, ndër të tjera, për korrupsionin, krimin e organizuar, administratën e dobët dhe për mungesën e lirisë së shprehjes.

Lunaçek: PE mbështet Kosovën e pavarur

Raportuesja për Kosovën, Ulrike Lunaçek, reagoi menjëherë pas votimit të rezolutës, duke kujtuar se shumica e Parlamentit Europian mbështet pavarësinë e Kosovës.

“Vota e sotme theksoi se një shumicë e gjerë dhe në rritje e eurodeputetëve të mbështesin pavarësinë e Kosovës. i kemi bërë thirrje edhe pesë vendeve të pabindura antare të njohin pa vonesë Kosovën”, theksoi Lunaçek në deklaratën për shtyp.

“Në anën tjetër, raporti e bën të qartë se Kosova duhet të bëjë më shumë për të luftuar korrupsionin, krimin e organizuar dhe të nisë dhënien e rezultateve të prekshme…” vijon ajo.  “Raporti shpreh gjithashtu shqetësimin për ndërhyrjen politike në punën e mediave dhe i bën thirrje autoriteteve të ndërrmarin hapa të menjëhershëm për mbrojtjen e gazetarëve nga kërcënimet”, deklaron Lunaçek, ndër të tjera, në qëndrimin e saj pas votimit të rezolutës për Kosovën nga Parlamenti Europian.

Pergatiti ARTA TOZAJ

Top Channel