“Policia keqtrajton të miturit”

20/03/2012 00:00

Komiteti i Këshillit të Europës për Parandalimin e Torturës dhe Trajtimit Degradues, Ndëshkues apo Çnjerëzor publikoi raportin mbi Shqipërinë. Në të ngrihen akuza për keqtrajtim dhe kushte të mjerueshme në disa burgje dhe në mjediset e policisë, ndërsa raportohet për kushte më të mira në ndërtesat e reja.

“Kushtet fizike të paraburgimit ishin shumë të varfra në shumicën e institucioneve policore të vizituara – qeli të shkatërruara, pa qasje në dritën natyrale, ndriçim artificial i zbehtë dhe ajrosje e varfër. Në reagimin e tyre, autoritetet shqiptare tregojnë se shumë prej objekteve policore të paraburgimit janë duke u rinovuar apo rindërtuar plotësisht. Kushtet ishin të tmerrshme në Qendrën e Paraburgimit në Kukës – qeli të ndyra me lagështi, me riparime të gjora, me dritë të dobët natyrore dhe ventilim të papërshtatshëm. Disa njësi të Burgut nr. 313 në Tiranë ishin të mbipopulluara rëndshëm. Në reagimin e tyre, autoritetet shqiptare informojnë se në të ardhmen e afërt do të nisë ndërtimi i një qendre të re paraburgimi në Kukës si edhe i një burgu të ri në Tiranë. Kushtet ishin të varfra edhe në shumë qeli të burgut të Burrelit dhe në Spitalin Psikiatrik të Shkodrës”, thuhet në raport.

Një delegacion i këtij Komiteti vizitoi ambjentet e përmendura në Maj 2010, dhe bisedoi me disa persona të ndaluar, arrestuar apo që vuajnë dënimin në burgje. 

“Shumica e personave të intervistuar nga delegacioni deklaruan se ishin trajtuar në mënyrë korrekte nga policia. Megjithatë, një numër i konsiderueshëm personash, përfshirë këtu shumë të mitur, pohuan se kishin qenë subjekt i keqtrajtimit fizik, si p.sh. shuplaka, grushta, shqelma apo qëlloheshin me shkop gjatë ndalimit si dhe gjatë marrjes në pyetje nga oficerët e policisë. Në burgje, marrëdhëniet mes personelit dhe të burgosurve në tërësi dukeshin mjaft të qeta dhe dhuna ndërmjet të burgosurve nuk dukej të ishte një problem i madh. Megjithatë, në burgun e Korçës, burgun nr. 313 të Tiranës dhe në Qëndrën e Paraburgimit në Durrës, disa të burgosur pretenduan se ishin keqtrajtuar fizikisht nga anëtarët e grupeve të veçanta të ndërhyrjes në këto objekte”, vlerëson më tej raporti.
 
Raporti vlerëson kushte më njerëzore në Qëndrën e re për të Miturit në Kavajë, atë të paraburgimit në Durrës, në burgjet e Fushë-Krujës dhe Korçës, ndërtesat për të sëmurët psikiatrik në Elbasan e Shkodër, ndërsa janë përmirësuar kushtet e spitalit të Burgut në Tiranë. 

Megjithatë, Komiteti shpreh shqetësim serioz në lidhje me praktikën e vazhdueshme të përdorimit të zinxhirëve metalike për të mbajtur në shtretërit e tyre pacientët vetëvrasës apo të shqetësuar. Në reagimin e tyre, autoritetet e shtetit shqiptar deklaruan se në të ardhmen do të përdoren vetëm rripa lëkure”, vijon raporti.

Në më shumë se 80 faqe të këtij raporti, numërohen 64 rekomandime të KiE ndaj autoriteteve shqipëtare. Trajtimi i të arrestuarëve, nga çasti i ndalimit të tyre e deri tek kushtet e duhura në burgje përbëjnë ndërkohë dhe  kushtin e 12të  për integrimin e Shqipërisë në BE.

Përgatiti: Arta Tozaj

Top Channel