20 vjet konfliktualitet për pushtet

06/03/2012 00:00

Më 2 mars në Lezhë u kujtua 568-vjetori i “Lidhjes Shqiptare”. Paçka se
nuk ishte një vit jubile, ky kremtim inkuadrohej shumë mirë në kuadrin e
100-vjetorit të Pavarësisë së shtetit shqiptar, aq më tepër kur ke
parasysh një kontekst shumë konfliktual ku gjendet klasa politike
shqiptare sot e njëzet vjet, ishte një rast shumë i mirë për t’u
bashkuar, duke i lënë mënjanë interesat e vogla për pushtet klanor apo
partiak, për hir të unitetit kombëtar.

Siç dihet, më 2 mars të vitit 1444 u tubuan princat dhe fisnikët më të njohur shqiptarë të asaj kohe si Gjergj Arianiti, Andrea Topia, Nikollë Dukagjini, Teodor Muzaka etj., nën drejtimin e gjeneral Skënderbeut, i cili posa ishte kthyer nga Stambolli. Qëllimi i Lidhjes Shqiptare të Lezhës ishte bashkimi rreth saj i sa më shumë fisnikëve e principatave dhe rimëkëmbja e Mbretërisë së Arbrit për t’u mbrojtur prej Perandorisë Osmane.

Lidhja Shqiptare e Lezhës ishte një aleancë politike-ushtarake, e cila bazohej në vendime demokratike nga kuvendi, duke respektuar sundimin e fisnikëve në tokat e tyre. Sipas marrëveshjes, armiqësitë midis tyre për interesa personale do të ndaleshin apo do t’i paraqiteshin lidhjes, e cila, me vendime në bazë të shumicës, do t‘i zgjidhte. Kjo arrihej me lehtësi, pasi që të gjithë fisnikët pjesëmarrës apo anëtarë të Lidhjes së Lezhës, forcat e tyre ushtarake i kishin vënë nën komandën e Gjergj Kastriotit, i cili do t‘i fuste në luftë mbrojtëse vetëm kur kërcënoheshin trojet e anëtarëve të Lidhjes.

Sot jetojmë në mileniumin e tretë, ku prioritetet janë të tjera. Sot Shqipëria është anëtare e NATO-s në një Besëlidhje-Aleancë Euro-Atlantike dhe integrimi i saj për në BE ka dy vjet që është pezulluar për shkak të konfliktualitetit të vazhdueshëm midis palëve.

Le të hedhim një vështrim retrospektiv të aktorëve të politikës në Shqipëri, të cilët për interesa të tyre personale shpesh marrin rolin e zhonglerëve dhe akrobatëve, por kur vjen puna për interesat kombëtare kthehen në periudhën më të errët të mesjetës të diktaturës, kur kundërshtarët i konsideronin si armiq për t’u eliminuar.

Nuk kanë moral, moralin nuk e njohin assesi, njohin veç interesat e ngushta të klanit për të uzurpuar pushtet politik, duke e kthyer edhe shtetin në shërbim të tyre. Harrojnë se janë zgjedhur nga sovrani për t’i dhënë llogari deri më një dhe për t’i shërbyer atij. Harrojnë se janë të përkohshëm në politikë dhe se rotacioni është destini dhe destinacion imediat i atyre që nuk përmbushin misionin në shërbim të votuesit dhe vendit. Ata mund t’i shpallin luftë kujtdo që nuk është pjesë e klanit të tyre, t’i shumëzojnë me zero intelektualët dhe njerëzit me kontribute, t‘i djegin në turrën e druve apo t’i vënë në gijotinat e mediave puthadorë me teknologji të shekullit XXI, supermoderne, por me vizion politik kleptokratik dhe thellësisht anakronik.

2 marsi ishte një ditë shumë e bukur, një shans për t’u bashkuar, për t’u parë sy më sy larg mllefeve dhe banaliteteve që janë bërë të padurueshme për opinionin publik shqiptar. Kam parasysh një intervistë të ambasadorit Withers, kur thotë se klasa politike shqiptare ka nevojë për një Skënderbe, bashkues, larg përçarjeve, unifikues, duke mbledhur princat e elitës, me qëllimin e shenjtë për të bërë shtetin e së drejtës.

Nuk ka nevojë të jetë gjeneral, të ketë shpatë vringëlluese, të jetë trim mbi trima që t’i këndojë Longfellow, sepse shqiptarët nuk janë më në luftë, kombi shqiptar është në paqe dhe në kohën e tij më të favorshme, krahasuar me të gjitha kohërat, sepse pritet të integrohet në Europë dhe të faktorizohet në rajon, si faktor paqeje e stabiliteti, ndërsa është i rrezikuar nga klasa politike, e cila nuk e lejon, e pengon këtë proces të natyrshëm, kur SHBA dhe BE i kemi aleatë! E si mund të jenë faktor stabiliteti shqiptarët kur në shtetin amë ata janë në një luftë permanente për pushtet, por kurrsesi jo për shtetin e së drejtës!

Absurdi më i madh, por realiteti i dhimbshëm me të cilin ballafaqohemi tash 20 vjet, kur klasa politike mund të ndryshojë ngjyrë e flamur dhe mund të bëjë aleanca me armiqtë më të përbetuar të saj, për interesa pushteti, ndërsa nuk gjen gjuhë të përbashkët me aktorët kryesorë që përfaqësojnë institucionet legjitime, siç e pamë më 2 mars, kur në vend se t’i shihnim bashkë Kryeministrin, Presidentin, liderin e opozitës të Shqipërisë së unifikuar me të gjithë faktorët politikë shqiptarë në shtetin amë, rajon, pa marrë parasysh se janë në pozitë apo opozitë, se janë në mazhorancë apo minorancë, tani jemi të detyruar që të dëgjojmë banalitete nga më të papranueshmet me intriga kuluaresh, të cilat degjenerojnë komunikimin qytetar dhe demokracinë e brishtë shqiptare.

Më 2 mars në Lezhë do të duhej të merrnin fjalën Kryeministri, Presidenti, lideri i opozitës; po ashtu mund të merrnin fjalën politikanët më me integritet, përfaqësues të institucioneve legjitime në Kosovë, Maqedoni, trevat shqiptare e diaspora, kur kemi parasysh një datë me një simbolikë kaq domethënëse, kur më 2 marsin e vitit 1444 të gjithë u bashkuan për të luftuar bashkë me një qëllim të madh, kurse tani na duhet që të jemi bashkë jo për të luftuar, sepse luftën e bëri NATO, por për t’u integruar si shtete me demokraci solide, me politikanë me integritet, me politikanë me moral, me politikanë që dinë të shtrijnë dorën pa marrë parasysh bindjet politike, me politikanë që nuk vuajnë nga deliri i madhështisë, sepse nuk janë assesi heronj, janë njerëzit më të rëndomtë të botës, sepse nuk e njohin gjuhën e komunikimit, e cila sot shqiptarëve u duhet më shumë se kurrë.

Sot shohim se si klasa politike shqiptare krijon armiq imagjinarë, se si Presidenti i Republikës kthehet në një shënjestër për t’u eliminuar apo se si Kryeministri dhe lideri i opozitës nuk gjejnë një gjuhë të përbashkët, paçka se që të dy pretendojnë se e njohin gjuhën shqipe. Po na lodhën me këtë cirk që i takon shekullit të shkuar, të gjuhës së urrejtjes dhe luftës së klasave.

Kur Kryeministri i Shqipërisë arriti që të ndërtojë një aleancë normale me Ilir Metën, i cili dikur do ta arrestonte Sali Berishën, ndërsa katër vjet më parë Ilir Meta do ta sulmonte fizikisht kryetaren e Parlamentit e përse këta njerëz nuk gjejnë një gjuhë civile me kundërshtarët e tyre. E njëjta gjë për liderin e opozitës, le të tregohet civil dhe t’i shtrijë dorën Kryeministrit të Shqipërisë, sepse, me këtë stil, kjo klasë politike është bërë e papranueshme. Sepse kur duan, për interesa të ngushta, ata bëjnë aleanca me qoftëlargun, ndërsa kur duhet ata janë të gatshëm të hedhin në erë të ardhmen e shqiptarëve.

Të mos harrojmë se ata nuk janë as princa dhe nuk kanë as principata, kanë vetëm votën e popullit, pra princ e sovran është populli, ata janë vetëm shërbëtorë të sovranit për ta përmbushur detyrimin ligjor për sa kohë që e përmbushin mandatin e tyre ligjor kur janë betuar para Kushtetutës të Shqipërisë.

Gazeta “Shqip”

Top Channel