Debat për taksën e sheshtë

01/03/2012 00:00

Ndryshimet në Ligjin për Deklaratën e të Ardhurave Personale rikthyen në Kuvend debatin e ashpër për taksën e sheshtë.

Arben Ahmetaj, i Partisë Socialiste ilustroi përmes llogaritjeve efektet varfëruese, që sipas tij, taksa e sheshtë ka tek shumica e qytetarëve.

“Shuma që një infermier duhet të paguajë më shumë për shkak të taksës së sheshtë në vit është 300 mijë lekë. Por në fakt Sali Berisha i merr këtij qytetari 300 mijë lekë në vitin e parë, arrin në gati 5 milionë lekë në fund të 10 viteve”, tha deputeti socialist Arben Ahmetaj.

Ndërkohë ministri i Financave, Ridvan Bode tha se “një infermiere që merrte në kohën e qeverisjes socialiste 150 mijë lekë të vjetra pagë, në vitin 2010 mori 340 mijë lekë pagë mesatare në muaj. “Kësaj infermiereje i thoni që paguan 20 mijë lekë të vjetra taksë, kur në një muaj i është rritur paga me 170 mijë lekë”, tha Bode.

Partia Socialiste mendon se taksa e sheshtë është padrejtësi sociale, duke favorizuar njerëzit e pasur dhe me pushtet ne kurriz te te varferve.

“Sot Sali Berisha, me sistemin tonë të drejtë dhe të gjithë ju dhe ne këtu do të duhet të paguanim në muaj 140 mijë lekë të vjetra taksë më shumë, sepse ne paguajmë më shumë. 4 infermierë paguajnë në 10 vjet 20 milionë lekë. Këto para i kursejnë ministrat, deputetët, kryeministri”, tha Ahmetaj.

Zoti Bode thotë se qeveria i bën politikat sociale jo me taksat, por përmes shpenzimeve. “A e dini që ju bënit rishpërndarje për shtresat e ekspozuara përmes buxhetit, në vitin 2005 vetëm 53 miliardë lekë? A e dini se në buxhetin e këtij viti keni në proces rishpërndarje për shtresat në nevojë jo 53 miliardë, por 142 miliardë lekë? A e dini që sot në buxhet kemi nga 6.7 që kishit ju në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto, kemi 10.3 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto?”, tha Bode.

Deputetja socialiste Mimi Kodheli theksoi se kur PS të vijë në pushtet do ta ndryshojë rrënjësisht sistemin fiskal duke kaluar nga një taksim regresiv i konsumit dhe taksim proporcional i të ardhurave, në një taksim progresiv të të ardhurave për të gjithë. Sipas saj kjo do të bëjë që kush është më i pasur të ketë një barrë më të lartë fiskale, se sa kush është më i varfër.

Ndryshimet e reja në Ligjin për Tatimin mbi të ardhurat detyrojnë individët që fitojnë më shumë se 2 milionë lekë në vit të deklarojnë të ardhurat tek tatimet.

Top Channel