INSTAT-i, Zaloshnja dhe CIA

09/02/2012 00:00

Mimi Kodheli – Lexova me vëmendje komentin e shkurtër që analisti i respektuar
Zaloshnja i kishte bërë fjalës së Edi Ramës në mbledhjen e fundit të
Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, të martën që shkoi, lidhur me
argumentin “1 milion të papunë në Shqipëri”.

Ndaj të njëjtin mendim me analistin, kur ai citon se: “Kush quhet i papunë në statistikat shtetërore kudo në botë, është vetëm ai person, në moshë pune, që është në kërkim AKTIV për një vend pune”.

Por a do të mjaftoheshim me këtë përcaktim? Unë, që u mësoj të tjerëve se çfarë është shkenca e Makroekonomisë, jo. Ata 1 milion të papunët shqiptarë, që e kanë mbi kurriz papunësinë dhe gjithçka të zezë që ajo sjell në jetën e çdo njërit, jo e jo.

Mbi të gjitha analizat, më vjen në ndihmë një fjalë e kreut të Bankës Qendrore të SHBA-ve – Federal Reserve, Ben Bernanke, thënë në Komisionin e Buxhetit të Senatit Amerikan lidhur me papunësinë, jo më larg se dy ditë më parë: “Është shumë e rëndësishme të mos shikohet vetëm shifra e normës së papunësisë. Kjo e fundit reflekton vetëm kërkesën e njerëzve që janë në kërkim AKTIV të punës. Ka gjithashtu shumë njerëz të cilët janë jashtë forcave të punës thjesht dhe vetëm sepse ata mendojnë se nuk mund të gjejnë punë ose kanë një punë part-time”.

Do të ishte interesante për të gjithë ne, politikanë, analistë, studiues e aq më shumë qeveritarë, të dinim se sa janë këta shqiptarët që mendojnë se nuk mund të gjejnë punë në çdo rast, ndaj dhe nuk janë në kërkim zyrtar të saj, se sa janë ata të cilëve as nuk u shkon ndërmend të kërkojnë punë në zyrat e qeverisë, e cila në rastin më të mirë, e shet vendin e punës me para nën dorë, se sa janë ata që punojnë në të zezë e gjithashtu nuk u shkon ndërmend të kërkojnë aktivisht apo zyrtarisht punë, se sa janë ata të cilët mezi presin rastin të kalojnë kufirin për të gjetur po ashtu një punë në të zezë në vende të huaja? Të gjithë këta nuk janë pjesë e statistikës qeveritare ndaj dhe qeveria bën shpesh shaka, ndonjëherë edhe të rënda, me shifrat apo normat e papunësisë në vend.

Mbi të gjitha, ajo që më vret më shumë, është papunësia e të rinjve dhe grave, ndër më të lartat në rajon dhe Europë. Në krizën më të fortë ekonomike të pas Luftës së Dytë Botërore, Europa percepton se një në pesë të rinj kërkojnë aktivisht punë.

Sot në Shqipëri, shumë prej brezit të ri kanë vendosur të vazhdojnë të studiojnë edhe pas diplomave universitare, por kjo jo sepse të gjithë duan t’i futen jetës akademike, por sepse nuk duan të përballen me të nesërmen, ditën kur do të kërkojnë e nuk do të gjejnë punë, megjithëse me një diplomë në xhep. Një arsye më shumë kjo, për të mos u shkruar në statistikat e papunësisë.

Është e trishtë të mendosh se një vend si Shqipëria, me një strukturim të tillë demografik në favor të moshës së re, nuk jep asnjë siguri, garanci apo perspektivë për këtë gjeneratë dhe as që ka ndërmend ta bëjë për aq kohë sa Kryeministri i saj flet për 18 për qind rritje ekonomike ndërsa vendet e punës janë pakësuar. Në të vërtetë, ky është një “model” unik për t’u studiuar, pasi në dijeninë time nuk ka analizë matematikore, logjike apo politike që mund ta zbërthejë një model të tillë. E ndërsa ne vazhdojmë me analiza, në Shqipëri në çdo tre të rinj, të paktën njeri, është i papunë. Humbja e brezit të ri, është masakra më e madhe që mund t’i bëjmë vendit dhe së ardhmes së tij.

Por ka edhe më. Sot në çdo dy gra shqiptare, të paktën njëra është e papunë. Sipas statistikave zyrtare të vetë Ministrisë së Punës e Çështjeve Sociale, shkalla e papunësisë tek gratë është, për fat të keq, 56,7 për qind. Këtu, pa dyshim që nuk futen gratë të cilat kanë të drejtën e njohur me ligj, për të ndenjur një vit në shtëpi, pas lindjes. E kështu mund të vazhdojmë të flasim për papunësinë tek minoritetet, ata me status invalidi, të dërguarit me forcë në pension apo në kategoritë e tjera jashtë vëmendjes qeveritare.

Në fakt, me këtë shkrim nuk dua të hyj në meritën e krahasimit të shifrave INSTAT (140 mijë të papunë)- CIA (620 mijë të papunë)- Zaloshnja (një shifër diku në mes të të dyjave), për një fakt të thjeshtë: shifrat e paraqitura në mbledhjen e fundit të Grupit Parlamentar të PS-së janë nxjerrë nga Banka e Shqipërisë dhe janë më kokëforta se çdo argument tjetër. Në një vend ku (gjithmonë sipas Bankës së Shqipërisë) forcat e punës janë 2,166,000 dhe të punësuarit janë vetëm 917,000, diferencën po ia lë lexuesit ta bëjë.

Dua vetëm të qartësoj sado pak skeptikët. Mendoj se është e rëndësishme të dihet se puna për programin e ri të PS-së filloi pikërisht nga fjala punësim, pasi mendoj se vetëm puna i jep çdonjërit prej nesh mjetin për të jetuar me dinjitet.

Dua vetëm të qartësoj sapo pak skeptikët. Mendoj se është e rëndësishme të dihet se puna për programin e ri të PS filloi pikërisht nga fjala punësim, pasi ne mendojmë se vetëm puna i jep çdonjërit prej nesh mjetin për të jetuar dhe dinjitet.

300 mijë vendet e reja të punës nuk janë një utopi, por realiteti i prekshëm i katër viteve të para të qeverisjes socialiste. 300 mijë vendet e reja të punës do të jenë shtylla mbi të cilën do të bazohet rritja reale ekonomike dhe ajo e fantashkencës së pushtetit. Ky është premtimi ynë dhe siç thotë një popull i vjetër europian: “Çdo premtim është një borxh!”. Ky do të jetë borxhi i vetëm që do t’u kemi shqiptarëve.

Gazeta “Shqip”

Top Channel