Italianët vjedhin në Shqipëri

08/02/2012 18:25

Gjatë një operacioni të koduar “Furtuna“, policia e Fierit arrestoi dy shtetas italianë si të dyshuar për dy grabitje të dhunshme të ndodhura javën e fundit.

Sipas një njoftimi të policisë së Fierit, në pranga ranë Giuseppe Margiotta , 33 vjeç, dhe Franco Galluci, 31 vjeç, të dy lindur dhe banues në qytetin e Leçes.

Sipas hetimeve të policisë, dy italianët kanë vjedhur të armatosur dhe në bashkëpunim dy argjendari, një në Ballsh dhe tjetrën në Fier, si dhe duke kërcënuar me armë kanë grabitur dy tregtarë në Lushnje.

Në cilësinë e provës materiale për të vërtetuar vjedhjet e dy italianëve, policia ka dy automjetet e përdorura prej tyre në vjedhje, një të markës “Hunday” dhe tjetra “Mercedes”.

Por ndërsa policia e Fierit regjistronte veprën penale të tyre të kryer në territorin shqiptar, rezultonte se dy të arrestuarit figuronin në listën e të kërkuarve që policia italiane ka shpërndarë në shtetet europiane.

Të dy të arrestuarit në Fier kishin konsumuar të njëjtën vepër penale në vendin e tyre, atë të vjedhjes me dhunë.

Duket se përveç valës së grabitjeve që është regjistruar së fundmi nga kriminelët vendas, Shqipëria po bëhet një “atraksion” edhe për ata të huaj.

Top Channel