20 shkurt 1991 √ 21 janar 2011

20/01/2012 00:00

Eva Dore – Historia e shtetit tonë njëqindvjeçar ka qenë dhe vazhdon të jetë e mbushur me protagonistë historikë pa monumente.
Duke filluar që nga Mbretëresha Teuta, kryengritësi Bato, Mbreti Agron,
rilindës dhe të tjerë shqiptarë të mirë, deri në ditët tona, të cilët
kanë shkrirë jetën e pasuritë, kanë derdhur gjakun në shërbim e në të
mirë të këtij vendi, pa bujë, pa shpalosur lëvizje mbarëkombëtare kuq e
zi apo të çfarëdolloj ngjyrimi tjetër

Sot mbushen njëzet e një vjet që kur sheshi “Skënderbej” u “zaptua” nga disa dhjetëra mijëra shqiptarë të mirë, të cilët u përballën me disa të tjerë shqiptarë të “mirë”: me ushtarë të armatosur, të cilët edhe në atë kohë i përkisnin Gardës së Republikës, me policë që shtinë me plumba manovre dhe me trupat hijerëndë “sampiste” apo të Repartit 313. Në histori, ajo ditë nuk ka hyrë për përplasjen pa gjakderdhje, fatmirësisht, mes shqiptarësh, por është gdhendur përjetësisht në kujtesën tonë historike më tepër për qëllimin e saj fisnik e vetëmohues: dhënien fund njëherë e përgjithmonë famëkeqes “luftë të klasave” dhe shmangien me çdo kusht të gjakderdhjes. Kisha vetëm nja dy pyetje për ata që u derdhën në shesh e në bulevard atë ditë: A nuk kanë mall vallë, të dalin sërish në atë shesh e të brohorasin fort për lirinë që na sollën? Të takohen me të tjerët, me të cilët vetëm rrjedha e fatit, data dhe revolta personale i bashkuan atë ditë? A kanë mall për ata njerëzit e asaj dite? Këtu më duket se lajthita. Këtu do guxoj e do të pyes sërish: Ku jeni strukur vallë, o njerëzit e sheshit të 20 shkurtit 1991? Njëri mund të më përgjigjet nga Amerika, tjetri nga Italia, tjetri nga Gjermania, nga Greqia, mbase edhe ndonjë do të ma kthejë nga Japonia apo nga maja e vinçit ku ishte ngjitur për t’i dhënë fund jetës së vet të dëshpëruar. Më shumë zëra do vijnë nga larg, se këtu nuk ka mbetur kush nga ju, o njerëz të mirë, o trimat e sheshit “Skënderbej” të këtij vendi. Ndonjë anglishtfolës, gjatë intervistave në radio të huaja më 20 shkurt 1990, mbase na ka thënë: “Things will get better” (Gjërat do bëhen më mirë). Dhe unë e kam kurajën që sot, pas njëzet e një vjetësh t’i them: “Things are getting betérr”! (Gjërat po bëhen beterr!) Dy fjalë të ngjashme fonetikisht, por mijëra vjet drite larg leksikologjisht…

Mbusheni pra, atë bulevard aq shumë të përfolur në këtë përvjetor, për të ngritur në piedestal lirinë dhe vëllazërinë! Është bulevardi juaj. Atë ditë ishit gati ta lanit me gjakun tuaj, edhe pse tanket dhe autoblindat dolën publikisht me gjithë forcën e tyre të hekurt, ndërsa sot aty bredhin të panjohur me makina moderne. Sheshi ishte dhe do mbetet i juaji. Bulevardi ishte dhe mbetet vetëm i juaji. Ju jeni trimat, djemtë dhe vajzat, burrat dhe gratë, pleqtë dhe plakat e përjetshëm të bulevardit, sepse vetëm ajo ditë i ka gjetur shqiptarët, të paktën ata që ishin në atë shesh, si dhe shumë të tjerë që nuk mundën dot, të putheshin e përqafoheshin vërtet të çliruar nga vargonjtë e tiranisë gjysmëshekullore.

Por sot, pas kaq vitesh, ju janë shtuar, fatkeqësisht (duke humbur jetët e tyre me duar në xhepa) dhe katër miq, katër shokë të tjerë të pafajshëm. Të pafajshëm në shpirt, kryengritës ndaj pabarazisë, ndaj mjerimit, ndaj padrejtësisë, ashtu sikurse ju dikur, edhe ata, dolën tek ky bulevard. Ndoshta edhe ata dolën atë ditë në bulevard se mbase ju kishin ju në mendje, o njerëz të mirë e të heshtur, se mbase qenë të frymëzuar edhe nga shembulli juaj apo dëshira juaj liridashëse. Njëzet e një vjet më vonë, popullit të Tiranës, më 21 janar 2011, iu bashkuan, porsi më 20 shkurt 1991, qytetarë e fshatarë, të varfër e të pasur, deputetë e të papunë, pavarësisht bindjeve apo përkatësive politike, krahinore e fetare nga e gjithë Shqipëria. Dhe si për ironi të fatit, edhe ata u qëlluan nga Garda e Republikës, paçka se nuk ka fort rëndësi se kush e dha urdhrin apo se kush e tërhoqi këmbëzën. Edhe atëherë, para njëzet e një vjetësh, sikur u dha një urdhër për të mbrojtur me çdo kusht monumentin e diktatorit, por askush atë ditë nuk ishte ngritur nga shtrati me mendjen për të vrarë shqiptarë… Sundimtarët e pashpirt, të cilët kanë humbur çdo lloj lidhjeje me popullin e tyre, sa herë ndihen ngushtë nxjerrin ligje “Për mbrojtjen e monumenteve” apo vendime qeverie e urdhëresa pa kuptim për të fshehur kthetrat e tyre e për të mbrojtur me çdo kusht uzurpimin e pushtetit.

Një tjetër tekë ironike e fatit: Në gjyqet e atyre që rrëzuan monumentin në vitin 1991, ishte edhe një prokuror i ri e pa përvojë. Pak rëndësi ka emri – kushdo që shquhet për pak kujtesë historike e mban mend shumë mirë, sepse historia jonë e vuajtur në këtë njëqindvjeçar përmban emra, data të sakta dhe fakte të verifikueshme, jo trillime mendjesh të sëmura e përpjekje të kota prej protagonistësh të rremë. Ky prokuror, i cili kërkoi dënime të ashpra për mitingashët vandalë, sot është një avokat që mbron me zell e devotshmëri atë apo ata që vranë katër vetë në mes të bulevardit më 21 janar 2011.

Më 21 janar 2011, bulevardi u spastrua, ashtu si ata që ju dikur, më 20 shkurt 1991, i përballuat me sukses e pa gjakderdhje, po nga disa shpirtkazmë, specie që nuk i kanë munguar kurrë këtij vendi, duke ua prerë në mes ëndrrat për një jetë më të mirë katër shqiptarëve të thjeshtë. Mbase dhe juve, këto specie apo të tjera me emër e veshje apo uniforma të ndryshme, ju kanë detyruar të jeni larg këtij vendi e këtij sheshi, por kush ka sadopak zë në vetvete e di shumë mirë që ju do jeni gjithmonë këtu. Çdo gur i këtij bulevardi të vjetër ka emrin tuaj të gdhendur. Çdo godinë e atij sheshi në fasadat e tyre kanë emrat dhe fytyrat tuaja. “Kthim në identitet”, mbaj mend që u quajt përpjekja për të rregulluar sheshin tonë dhe për t’i bojatisur fasadat, pavarësisht se çfarë përmbajnë brenda. Po kthim në identitet pa ju nuk ka! Pas 21 vjetësh nuk do të doja lule, tubime, fjalime burracake apo koncerte me këngëtarë pa lidhje në këtë shesh, por do të doja një monument kushtuar juve, o heronj të heshtur e të thjeshtë. Jo se veprën tuaj e bën më madhështore një monument. Më mirë të ngelen piedestalet pa statuja, se sa me idhuj të rremë sipër, sepse vjen dita për cilindo idhull të gënjeshtërt që të shembet, të rrëzohet e të tërhiqet zvarrë – shembulli biblik i demit të artë. Kudo në botë heronjtë nderohen, sepse ju u ngritët për të rrëzuar nga piedestali një idhull të rremë, ndërsa sot e kësaj dite ne shikojmë e jemi të detyruar të dëgjojmë vetëm idhuj të rremë. Pa kurrfarë vlere morale apo njerëzore, lëre më politike apo atdhetare. Ju vutë jetën në rrezik atë ditë të 20 shkurtit 1991. Hajdeni, kthehuni, kemi vite që ju presim! Me ju Shqipëria do jetë më e bukur, me ju do jemi më shumë, me ju do punojmë më shumë. E nuk do jemi më “betérr”, por do jemi “much better” (shumë më mirë). E nuk kam lajthitur aq shumë sa të pres sot, më 20 shkurt 2012 që të shpallet ndonjë parti e re. U shtofshin e u bëfshin njëqind, se janë nja gjashtëdhjetë e kusur deri më tani, por pa ju, kot e kanë…!

Top Channel