Kryeministri, Sali Berisha ka mbledhur së bashku disa nga drejtuesit e bashkësisë fetare në Shqipëri, një takim tradicional në prag të festave të fundvitit, Krishtlindjeve dhe Vitit të ri.

Përfaqësues të klerit katolik shqiptar të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë, si dhe përfaqësues të komunitetit mysliman shqiptar ndanë me Kryeministrin Berisha mesazhe të bashkëjetesës dhe harmonisë fetare, një nga tiparet më të vyera që i dallon shqiptarët më shumë sesa kombet e tjera europiane.

Kryeministri Berisha u shprehu mirënjohjen drejtuesve të bashkësisë fetare për kontributin e tyre jo vetëm në rilindjen e besimit në Shqipëri, por edhe rolit të tyre thelbësor në historinë e shtetit shqiptar.
 
“Kjo është një ditë, në të cilën ne nderojmë me respektin më të madh njëri-tjetrin, nderojmë besimin e njëri-tjetrit, nderojmë traditën tonë të shkëlqyer, nderojmë Krishtlindjen, si ditën e madhe të shpresës, të besimit e të së ardhmes. Nderojmë gjithashtu Vitin e Ri, duke u lutur së bashku që Krishtlindjet që vijnë dhe Viti i Ri tjetër, në kuadrin e 100 vjetorit të themelimit të pavarësisë së Shqipërisë, t’i bëjmë edhe më mirë, edhe më të mëkëmbur, edhe më të lirë, edhe më të fortë në besimet tona. Në 100 vjet, udhëheqësit shpirtërorë të shqiptarëve kanë pasur nga Lidhja e Prizrenit deri në ditën e sotme, një rol themelor në zhvillimet pozitive të këtij kombi, kanë gjetur në të gjitha rastet mirëkuptimin e përbashkët, për të çuar përpara një çështje të drejtë, lirisë kombëtare”, tha Berisha.  

Top Channel