Naftësjellësi “AMBO” në pritje të financimeve

11/12/2011 08:25

Naftësjellësi i planifikuar transballkanik AMBO është i ndryshëm nga ai i Burgas (Bullgari) – Aleksandropolis (Greqi), nga i cili, autoritetet bullgare hoqën dorë, duke parashtruar pasoja ekonomike dhe ekologjike.

Projekti i AMBO-s, me të cilin përfiton edhe Shqipëria, ka shumë më tepër avantazhe, deklaroi pak ditë më parë për organin e specializuar në fushën e energjetikës, “Plats”, presidenti Ted Ferguson, duke shtuar se nuk ishte fort i qartë se përse Bullgaria hoqi dorë nga projekti i naftësjellësit Burgas-Aleksandropolis.

Siç raporton gazeta “Shqip”, naftësjellësi “AMBO”, sikurse është njoftuar tanimë nga projektuesit e tij, do të jetë në gjendje që të transportojë 750 000 fuçi në ditë, kurse kapaciteti i transportimit të naftësjellësit tjetër është 700 000 fuçi në ditë.

Naftësjellësi “AMBO”, fjalë kjo e formuar nga akronimet (germat e para) në anglisht të vendeve që marrin pjesë në këtë projekt, pra përmes të cilëve do të kalojë naftësjellësi i lartpërmendur, – Shqipëria, Maqedonia dhe Bullgaria (Albania, Macedonia dhe Bulgaria), është, në fakt, konkurrent me naftësjellësin Burgas-Aleksandropolis.

Të tria vendet e lartpërmendura, përmes të cilëve parashikohet të kalojë ky naftësjellës, kanë nënshkruar para pak vitesh edhe një memorandum mirëkuptimi përkatës në mbështetje të këtij projekti, duke u zotuar se do të bënin të gjitha përpjekjet e mundshme për të gjetur investitorë potencialë për realizimin e tij.

Po ashtu, presidenti i AMBO-s, amerikani Ferguson, në një prononcim tjetër në numrin e kaluar të botimit “Plats”, vinte në dukje se studimi përkatës ekologjik dhe social lidhur me realizimin e projektit do të mund të përfundojë plotësisht kur të mblidhen të gjitha mjetet financiare të nevojshme dhe se për këtë qëllim do të duhet një periudhë një-vjeçare.

Sipas Ferguson, interesimi financiar i investitorëve potencialë do të mund të konkretizohet përfundimisht, kur sasia e parashikuar e naftës të fillojë të rrjedhë nga fushat naftëmbajtëse në Detin Kaspik.
 
Naftësjellësi parashikon që naftën nga vendi i nxjerrjes në Kaspik të Rusisë ta përçojë përmes Bullgarisë dhe Maqedonisë deri në Portin e Vlorës, për t’u transportuar më tej në Europën Perëndimore dhe SHBA.

Projekti ka qenë i planifikuar që të fillonte në vitin 2008, por për arsye të ndryshme, sidomos të asaj kryesore, të mosgjetjes së mjeteve financiare të plota të nevojshme, 1,2 miliardë dollarë, realizimi është shtyrë, edhe pse mësohet se është siguruar 80 për qind e fondeve.

Gjatësia e tubacioneve do të jetë 894 kilometra dhe parashikohet që përmes tij të transportohen çdo vit 30-40 milionë tonë naftë bruto.

Top Channel