Avokati i Popullit, 31 aplikime në PS

06/12/2011 00:00

Kanë përfunduar aplikimet online për Avokatin e Popullit në faqen e posacme hapur nga Partia Socialiste.

Kjo mënyrë e re përzgjedhjeje, aplikuar nga selia rozë që synon transparencën në këtë proces, ka tërhequr interesimin e 31 aplikantëve mes tyre katër gra.Shumica aplikantëve vijnë nga bota akademike, mes të cilëve edhe dy aplikantë që jetojnë në Kanada dhe Britaninë e Madhe.

Deputetja Eglantina Gjermeni, anëtare e Komisionit përzgjedhës, në një intervistë për Top Channel shprehet e kënaqur me këtë numër aplikimesh.

“Komisioni është i surprizuar nga numri i madh i aplikantëve. Kanë aplikuar 31 aplikantë për funksionin e Avokatit të Popullit. Larmia e CV-ve, e kualifikimeve shkencore, e aktivitetit në fushat e të drejtave të njeriut është një pasuri brenda kësaj liste, gjë që do ta bëjë procesin përzgjedhës për Avokatin e Popullit më të vështirë”, tha Gjermeni.

Deputetja Gjermeni sqaron hapat e mëtejshëm të këtij procesi: “Më pas Komisioni organizon disa mbledhje për të përzgjedhur kandidaturat më të mira për këtë funksion, për të organizuar me ta seancë dëgjimore, duke synuar që secili prej kandidatëve të prezantohet, të shpalosë idetë, vizionin për funksionin e Avokatit të Popullit”.

Fjalën e fundit për kandidaturat e propozuara nga ky komision do ta kenë strukturat më të larta të PS.

“Ne si komision do të përgatisim një raport përmbledhës për secilën kandidaturë, duke përzgjedhur kandidaturat më të mira dhe duke ia prezantuar grupit parlamentar të Partisë Socialiste dhe kryesisë së Partisë Socialiste. Më pas do të votohet kandidatura më e mirë, e cila do t’i prezantohet parlamentit”, theksoi Gjermeni.

Drejtues të PS-se thonë se ky model i ndjekur për Avokatin e Popullit do të ndiqet edhe në të ardhmen në përzgjedhjen e kandidatëve për poste të ngjashme, si e vetmja mënyrë trasparence përballë qytetarëve.

Top Channel