Protesta në mjekësi

17/11/2011 18:10

Vendimi i fundit i qeverisë për ndryshimin e ligjit mbi profesionet e rregulluara ka shkaktuar revoltën e qindra studentëve të Fakukltetit të Mjekësisë.

Në ditën ndërkombëtare të studenteve, ata kanë kërkuar që ky vendim të rishikohet dhe pushtetarët të respektojnë të drejtat e tyre.

“Kërkojmë që pas diplomimit të paguhemi për periudhën e praktikës, si çdo kolegu ynë në botë. Të krijohet një sistem i qartë për konkurset e specializimeve dhe të bëhen të qarta kriteret konkurruese dhe kuotat e provimit. Kërkojmë që të ketë kritere të qarta dhe tepër selektive për studentët që vijnë nga fakultetet private, për të mos e kthyer Fakultetin e Mjekësisë në një portë pritëse për këdo që i troket në derë”, shprehet një ndër vajzat protestuese.

Një kolegu i saj shtoi: “Në një ditë janë mbledhur 2 mijë firma studentësh. Të gjitha me një funksion, mosnëpërkëmbjen e studentit nga këta pushtetarë. Zoti Ministër, iu kujtoj se mosha minimale nga e cila ne dalim nga ky fakultet është 24-vjeç. Nëse do të bëni një llogari të thjeshtë matematike, duke i shtuar të gjithë andrallat që përcaktohen në ligjet e shtetit tonë, që iu i modifikoni dita ditës, me hallakatjet e stazheve, provimet e shtetit, akordimin e kuotave të specializimit dhe vitet e vetë specializimit, i bie që të dalim në punë jo më herët se 33 vjeç”.

Mbi 2 mijë studentë kanë firmosur peticionin për rivendosjen e pagës me 50% gjatë periudhes së stazhit, si dhe për vendosjen e kritereve dhe standarteve përsa i përket çështjes së specializimeve.

Top Channel