Fetah Shehu, 56 vjec është viktima e rradhës në minierat e kromit në Bulqizë. Ai gjeti vdekjen ndërsa punonte në galerinë 66 në zonën D të minierës të famshme për aksidentet e saj tragjike me pasoja në jetë njerëzish. 

Kur ende nuk po mbyllen nga prokuroria hetimet për vdekjen e një minatori të ACR, sërish ndodhin aksidente me pasoja fatale.

Fetah Shehu ishte punonjës i ACR, i cili për shkak të periudhës së gjatë pa punë kishte zgjedhur të punonte në galeritë e firmave të tjera në zonën e Bulqizës.

Galeria 66 ku ndodhi aksidenti ishte cilësuar e papërshtatshme për të punuar dhe  pas kontrolleve të ushtruara nga Reparti i Inspektim-Shpëtimit të Minierave është vendosur bllokimi i saj për shkak të mos plotësimit të kushteve të sigurisë në punë për minatorët.

Por askush nuk e zbatoi këtë urdhër, as kompanitë që vijonin punën la asnjë leje por edhe institucionet shtetërore që me tolerancën e tyre shkaktuan vdekjen e rradhës.

Ngjarja ka ndodhur në brendësi të galerisë 66, në një distancë prej rreth 300 metra nga hyrja e saj. Materiali i shembur nga tavani i galerisë ka qenë voluminoz dhe ka vazhduar për një kohë të gjatë, duke vënë kështu në vështirësi grupin e avari-shpëtimit për nxjerrjen e minatorit të mbuluar nga masivi i gurëve.

Më pas është kërkuar dhe ndihma e specialistëve të RISHM-it nga Tirana, për të bërë të mundur nxjerrjen e trupit. Në vendngjarje ka mbërritur policia dhe grupi  hetimor që ka nisur hetimet për zbardhjen e kësaj ngjarje.

56 vjecari, Fetah Shehu ishte minator i firmës ACR, por ndërpreja prej 4 muajsh e punës tek firma ACR e ka detyruar minatorin të punojë në galeri private jo të sigurta.
 
56 vjeçari, kishte nje eksperiencë të gjatë pune prej 25 vjetësh. Vdekja e tij e con në tre numrin e viktimave brenda pak ditëve. Më herët ishin dy të rinj në Tropojë që u vranë nga shembja e një galerie private ku po nxirrnin krom.

Top Channel