Gjykata kthen gardistin në burg

14/09/2011 19:55

Gjykata e Lartë ka vendosur të rikthejë në burg edhe për 10 ditë të tjera një nga nënoficerët e Gardës së Republikës, i akuzuar nga prokuroria për ngjarjet e 21 janarit, Sadik Cela.

Cela ishte lënë në liri muaj më parë nga Gjykata e Apelit për shkak të mungesës së provave.

Gjykata e Lartë e dha këtë vendim në mesditë, ndërkohë që burime zyrtare të paraburgimit 313 thanë për Top Channel se deri në orët e vona të mbrëmjes i pandehuri i prokurorisë nuk u ishte dorëzuar autoriteteve të burgjeve, duke lënë kështu në mister se përse pavarësisht se kanë kaluar disa orë, gardisti Sadik Cela nuk është kthyer në qeli.

Në lidhje me këtë vendim të Gjykatës së Lartë, Prokuroria e Përgjithshme pohoi për TCH se është ende në pritje të dispozitivit të Gjykatës së Lartë në mënyrë që të urdhërojë ekzekutimin e tij, domethënë rikthimin në burg të gardistit.

Por ndërkohë dihet që Gjykata e Lartë, referuar vendimeve që ka dhënë edhe për raste të tjera kur ka rikthime të të akuzuarve në paraburgim, procedon duke dorëzuzar dispozitivin prokurorit që përfaqëson organin qendror pa qenë kështu e nevojshme të shpenzohet kohë derisa sa të zbardhet arsyetimi i vendimit.

Gardisti Sadik Cela u arrestua fillmisht pas vrasjes së katër demonstruesve në bulevardin kryesor në 21 janar, së bashku me Gazmend Ahmetajn dhe Mark Nikollin, ndërsa më pas gjykata e Tiranës dha masën e sigurisë 30 ditë burg, derisa prokuroria të dorëzonte prova të tjera.

Të akuzuarit qëndruan në paraburgim 20 ditë dhe pas kësaj Apeli i liroi, cka detyroi prokurorinë të ankohej në Gjykatën e Lartë.

Gjatë gjithë verës prokuroria ishte në pritje të këtij vendimi, ndërkohë që llogaritet që pasi të dërgohet në paraburgim, Sadik Celës i kanë mbetur edhe 10 ditë masë sigurie dhe më pas prokurorisë do t’i duhet sërish të luftojë me provat e reja për të kërkuar masë tjetër paraburgimi.

Aktualisht në burg pa afat ndodhet vetëm gardisti Agim Llupo, i cili akuzohet se nga të shtënat e armës së tij ka mbetur i vrarë shtetasi Ziver Veizi.

Top Channel