Topi takon faktorin politik shqiptar në Maqedoni

15/04/2010 12:05

Presidenti i Republikës, Bamir Topi gjatë vizitës së tij në Shkup, u takua me sh-presidentin maqedonas dhe aktualisht, liderin e partisë më të madhe opozitare maqedonase, LSDM, Branko Cervenkovski.

Duke vlerësuar takimin me zotin Cervenkovski si një nga personalitetet më të shquara të politikës maqedonase, Presidenti Topi vuri në dukje rëndësinë e takimeve të tilla, të cilat ndikojnë në zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe politike, në ruajtjen dhe forcimin e sigurisë dhe stabilitetit në rajon, si dhe në realizimin e synimeve të përbashkëta të dy vendeve tona fqinje në integrimin evropian.

Në vazhdën e vizitës, Topi u takua me Kryetarin e Bashkimit Demokratik për integrim të Maqedonisë, Ali Ahmeti, me Kryetarin e Partisë “Demokracia e Re”, Imer Selmani, si dhe me Kryetarin e Partisë Demokratike Shqiptare në Maqedoni, Menduh Thaçi.

 Kryetari i Shtetit shqiptar shkëmbeu mendime me bashkëbiseduesit për disa prej zhvillimeve të fundit politike në Maqedoni të cilat i ka ndjekur me një vëmendje të posaçme. Presidenti i Republikës inkurajoi palët të tregojnë maturi e veprim politik të përgjegjshëm dhe vuri në dukje se partitë politike shqiptare në Maqedoni duhet të forcojnë së pari dialogun politik mes tyre për të treguar se faktori shqiptar di të përballojë sfida të rëndësishme, dhe së dyti, se ky faktor di dhe duhet të nxisë në vazhdimësi bashkëpunimin, integrimin, angazhimin e veprimin institucional.

Nga ana e tyre, z. Ahmeti, z. Selmani dhe z. Thaçi shprehën nderin e veçantë të takimit me Presidentin e Shqipërisë dhe nënvizuan faktin se faktori shqiptar në Maqedoni do të vazhdojë përpjekjet e tij në ruajtjen e ekuilibrave dhe të standardeve demokratike në shoqërinë maqedonase, duke e ruajtur dhe forcuar rolin e tij si urë e fortë lidhëse mes dy popujve të Shqipërisë dhe të Maqedonisë, po ashtu dhe në shërbim të përmbushjes së aspiratës së qytetarëve maqedonas për integrimin euroatlantik.

Top Channel