Turneu i parë kombëtar për femra

23/01/2009 10:10

Viti 2009 ka sjellë edhe një risi në futbollin shqiptar: turneun kombëtar për femra. Sot do të startojë aktiviteti i parë i këtij lloji në vendin tonë, ku në fushat e gjelbra do të zbresin tetë skuadra.

Takimet fillojnë në orën 11:00, ku në stadiumin “Qemal Stafa” Tirana A.S do të presë Tropojën, ndërkohë po në këtë kohë Tirana luan përballë Rubikut në kompleksin e ekipeve kombëtare në Kamëz.

 Në orën 12:30, menjëherë pas fërshëllimës finale të dy takimeve të para, në fushat e lojës do të zbresin çiftet Jubani-Olimpik dhe Memaliaj-The Door.

Ekipet fituese të këtyre katër sfidave do të kualifikohen për në gjysmëfinale, që do të zhvillohen më 25 janar, ndërsa finalja është parashikuar të luhet të martën e ardhshme, më datë 27. Në këtë aktivitet spikat prezenca e katër skuadrave nga kryeqyteti: Tirana A.S, Tirana, Olimpik dhe The Door.

Vetëm dy vjet më parë, përpara se të krijohej skuadra e Jubanit në Shkodër, Shqipëria ishte shteti i vetëm evropian përkrah Turqisë, që nuk praktikonte futbollin e femrave.

Top Channel