“Në krye të PD ende njerëz që humbën në 2013”, Grida Duma: Kjo parti po e deklaron vetë vdekjen e saj, në 13 vite opozitë nuk del asnjë kandidat përballë Berishës?

05/05/2026 19:58

E ftuar ditën e sotme në emisionin “Breaking” në Top News me Dafina Hysën, autorja dhe moderatorja e “Top Story” Grida Duma foli për gjendjen aktuale të Partisë Demokratike dhe zgjedhjet e ardhshme për kryetar.

Duma tha se PD po e deklaron vetë vdekjen e saj politike dhe shtoi se është absurde që pas 13 vitesh në opozitë nuk ka asnjë kundërshtar të denjë për të brenda partisë Demokratike.

“Tani, nuk është propagandë kur Berisha apo kush do, thotë që Edi Rama ka investuar për përçarjen e PD. S’ka nevojë për provë. Është normale që kundërshtari të mundohet të dobësojë. Nuk ka sens që qoftë Edi Rama apo kushdo tjetër të mos përfitojë nga shkatërrimi që i ndodhi edhe për shkak të Sali Berishës PD, e dimë mirë që vendosja dhe vijimi me Lulzim Bashën pas 2013, nga një situatë që duhet ta çonte PD në një frymë të ndryshme nga ajo që kishte servirur Berisha, nuk rezultoi kështu.

Dhe që nuk rezultoi kështu ka qenë vetë Berisha që pas 8 apo 9 vitesh dhe tha që gabova me Lulëzim Bashën. Ja tha ashtu si Edi Rama çdokujt që kur i del kundër atij vetë kthehet në problem? Po, edhe Berisha kur i doli kundër vetë Lulzim Basha, tha po gabova. Megjithatë pranoi gabimin dhe nga kjo situatë nuk po e mbledh më veten PD. A e ka dëmtuar Edi Rama PD, patjetër që e ka bërë dhe bën sens sepse është partia rivale.

Por unë mendoj se PS është më e ‘sëmurë’ se PD, sepse askush nuk e thotë dot se sa i kalbur është trupi politik i Partisë Socialiste. Ndërsa PD është kritikuar në të gjitha anët. Me PD po del kudo. Nuk ka vend ku PD nuk po dëgjon kritika, nuk po pëson gjykime dhe nuk po pëson çarje.

Unë mendoj që këtë herë Berisha nuk duhet të kishte gabuar. Nuk po reflekton Berisha sepse ka një ligjësi në jetë, që kur je mësuar me disa reflekse, ti i përsërit të njëjtat. Nuk ka pasur asnjë që nga viti 92 që mund ta rivalizojë Berishën, që ai të ndiejë që po t’i dalë përballë është rival i vërtetë, dhe kjo gjë të kthehet në lëkurë, e di që është partia e tij dhe thotë që kur kthehem, kthehem.

Sali Berisha e di që aksionerët e tjerë në PD i janë frikësuar atij, më shumë se e kanë dashur. Mënyra se si ai nuk e ka pranuar që atë të mos ta rivalizojnë është zakon i të vjetrës.

Është gabim që PD po e deklaron vetë vdekjen e saj klinike. Nuk është e pashërueshme. Diagnoza është më e keqe, por faza është më e mirë se faza ku është PS.

Këtë që po kalon PD do ta vuajë edhe PS, se kur, varet nga PD.

Kjo bëhet vetëm kur PD të marrë opinionin publik ta fusë të koshi i saj elektoral dhe ta godasë PS-në.

Si mund te mos ketë asnjë kandidat përballë në zgjedhje. Dhe thonë garë e ndershme sepse thonë përderisa nuk ka kandidat të ndershëm, është e ndershme të themi që s’ka kandidatë. Të kenë kaluar 13 vite dhe pas 13 viteve hyrje dalje në parti, nuk paska asnjë njeri serioz që të garojë përballë Berishës atëherë aty ka vdekur ambicia politike brenda saj.

Duhet edhe ta shpikte një kandidat për të formalizuar zgjedhjet.

Për çfarë duhet 23 maji kur dihet kush do jetë kryetari?

Në këto kushte është e vështirë edhe të konkurrosh para Berishës sepse dihet që do humbasësh dhe tjetra do humbë edhe partia në zgjedhje

 Shumëkush, me të drejtë, mund të ketë ngritur: ‘E do për vete, e ka për familjen’. Këto janë akuza për PD. Unë e di shumë mirë që Berisha jeton dhe ekziston politikisht. Problemi që Berisha ka me non-gratën, nuk është problem i vogël. Nëse sot do të kishte një kandidat, cilido, Berisha rrezikon që një përqindje të mirë votash të shkojnë te ai kandidati i vërtetë.

Në krye të PD, është edhe një kast njerëzish që kanë humbur zgjedhjet në 2013-ën. Kam reaguar me shumë keqardhjen kur kam parë listën me shumë njerëz që kanë humbur në 2013. Në qarkun ku kërkon rini, nuk duhet të vendosësh 13 vite më parë ata që ishin në 2013. Brenda kësaj partie, edhe sikur të mendojmë që Berisha i merr votat mazhoritare, do të ketë një fashë, ata që kanë mbështetur Bashën.

Ata që thonë: ‘Pse mos t’i japim një mundësi x personi’. Kjo masë është bërë më e madhe se dikur. Sali Berisha do të duhet të reflektonte ndryshe për PD. Kalkulimet politike që po bëjnë tani, janë zvogëluese dhe nuk janë zmadhuese për staturën e tij të dikurshme që e solli PD-në”, u shpreh Grida Duma.

Top Channel