Inside Story/ “Beteja” mes shtetit dhe bankës për banesën e sekuestruar të trafikantit VIP! Pse mbeten asetet jashtë kontrollit?!
Integrimi në Bashkimin Europian është synimi i Shqipërisë. Çelja e kapitujve për anëtarësim është nisja e një procesi të gjatë të cilit vendi ynë duhet të përmbushë kriteret e përcaktuara.
Kapitulli 23, “Gjyqësori dhe të drejtat themelore”, mbetet një sfidë për Shqipërinë, pasi lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar pritet të prodhojë rezultate të prekshme për të garantuar se askush nuk është i paprekshëm para ligjit.
Një ndër pikat kyçe është konfiskimi i pasurive të krimit të organizuar. Krimi investon në prona, biznese, automjete, toka dhe asete të tjera, duke kthyer aktivitetin e paligjshëm në një perandori ekonomike.
BE: Kapaciteti i SPAK-ut në hetimet financiare është rritur më tej krahas përdorimit sistematik të hetimeve financiare, ndërsa vendimet për konfiskim pasurie kanë rënë nga 20 në 8. Shqipëria duhet të rrisë ndjeshëm numrin e referimeve në SPAK nga autoritetet e tjera, i cili mbetet shumë i ulët. Kapaciteti dhe organizimi i brendshëm i SPAK-ut për të trajtuar një ngarkesë në rritje të punës ende kërkon vëmendje.
Vlera e aseteve të sekuestruara dhe të konfiskuara në rastet e korrupsionit ka mbetur e kufizuar. Gjatë vitit 2025, asetet e sekuestruara dhe të konfiskuara nga SPAK-u arritën në total 45.4 milionë euro, por vetëm 1.2 milionë euro iu referuan procedurave të korrupsionit të nivelit të lartë, me vlerën e aseteve të konfiskuara të kufizuar në afërsisht 100 mijë euro. Në vitin 2025, SPAK-u nuk lëshoi asnjë vendim për sekuestrimin e aseteve në rastet që përfshijnë vepra të thjeshta penale të korrupsionit. Raporti midis aseteve të sekuestruara dhe të konfiskuara nuk është ende i kënaqshëm, duke sugjeruar nevojën për të zbatuar më tej masat e zgjeruara të konfiskimeve, si dhe konfiskimet jo të bazuara në dënim, duke përfshirë konfiskimet nga palë të treta dhe ato të bazuara në vlerë. Gjurmimi dhe rikuperimi i aseteve është forcuar, me qëllim reduktimin gradual të këtij boshllëku dhe rritjen e efektivitetit të konfiskimeve përfundimtare.
Shifrat e raportit të Komisionit Europian për vitin 2026 zbulojnë një hendek nga viti në vit. Në vitin 2025, Shqipëria raportoi rreth 61 milionë euro pasuri të sekuestruara, kundrejt 21 milionë eurove një vit më parë. Por pasuritë e konfiskuara, pra ato që kanë kaluar në fazën përfundimtare të konfiskimit, ranë nga 10 milionë euro në vitin 2024, në vetëm 1.9 milionë euro në vitin 2025.
“Shqipëria inkurajohet të rrisë përdorimin e sekuestrimit dhe konfiskimit parandalues të aseteve, duke përfshirë konfiskimin pa dënim dhe konfiskimin nga një palë e tretë. Në vitin 2025, Shqipëria raportoi rreth 61 milionë euro asete të sekuestruara (21 milionë euro në vitin 2024) dhe 1.9 milionë euro asete të konfiskuara (10 milionë euro në vitin 2024).”
Një diferencë që nuk mund të lexohet automatikisht si humbje apo dështim, sepse sekuestrimi dhe konfiskimi janë dy faza të ndryshme të procesit. Por vetë Komisioni Europian kërkon një raport më të qëndrueshëm mes tyre dhe më shumë rezultate përfundimtare në goditjen e pasurive kriminale. Nga ana tjetër, nënvizon mungesën e një strategjie për identifikimin dhe konfiskimin e aseteve kriminale jashtë vendit.
“Ende nuk ka një strategji, një qasje sistematike për identifikimin dhe konfiskimin e aseteve kriminale që ndodhen jashtë vendit ose janë të paarritshme. Shqipëria duhet të zbatojë në mënyrë të qëndrueshme rregullat mbi konfiskimin e zgjeruar dhe ngrirjen paraprake të aseteve, për të parandaluar humbjen e vlerës së tyre ekonomike.”
Sipas raportit, Agjencia për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara ka nevojë të forcojë kapacitetet dhe procedurat për administrimin në kohë, përdorimin transparent dhe ruajtjen e vlerës ekonomike të këtyre aseteve. Raporti ngre shqetësime edhe për mungesën e një portofoli dixhital në pronësi të shtetit për administrimin e kriptomonedhave dhe aseteve virtuale.
Ekziston nevoja për të garantuar menaxhimin në kohë dhe të duhur të aseteve të sekuestruara dhe të konfiskuara, duke përfshirë asetet virtuale dhe kriptomonedhat, pasi nuk ka asnjë portofol dixhital në pronësi të shtetit. Ripërdorimi i aseteve të konfiskuara për qëllime sociale duhet të zgjerohet më tej.
Rekomandohet të sigurohen vendime përfundimtare, përmirësimi i efikasitetit të sistemit të rikuperimit dhe menaxhimit të aseteve, zgjerimi i përdorimit të pasurive të konfiskuara për qëllime sociale etj.
“Të forcojë dhe konsolidojë më tej historikun e hetimeve, ndjekjeve penale dhe gjykimeve të rasteve të korrupsionit dhe të sigurojë më shumë dënime përfundimtare, veçanërisht në rastet e profilit të lartë. Përmirësoni efikasitetin e sistemit të rikuperimit dhe menaxhimit të aseteve duke forcuar bashkëpunimin operacional të zyrës së rikuperimit të aseteve, veçanërisht me zyrat e rikuperimit të aseteve në shtetet anëtare të BE-së.”
Burimi i forcës për krimin e organizuar është fuqia financiare. Nëse kjo shtyllë cenohet, fitorja ndaj së keqes afrohet! Vitet e fundit, aksionet e SPAK-ut dhe prokurorive të rretheve kanë sjellë sekuestrimin e mijëra aseteve të botës së krimit. Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara ka hartuar dy katalogë me pronat e sekuestruara dhe të konfiskuara. Menaxhimi ka dy sfida serioze, nga rreziku që njerëzit e krimit të vijojnë të vjelin fryte, tek degradimi dhe zhvlerësimi financiar i pronave.
“Një agjenci e tillë duhet të jetë shumëfunksionale, duhet të ketë shumë drejtori brenda, nuk duhet të ketë vetëm administrimin. Kjo agjenci kishte paraqitur në planin e saj që, nga 14 punonjës, të bënte një rritje të stafit në 34. Unë mendoj se duhet të ketë akoma më shumë. Është një institucion që menaxhon pjesën më delikate. Pse e themi më delikate? Sepse, së pari, është në hapin e parë, kur prona është e sekuestruar, dhe duhet mbajtur mirë, se është si ajo shprehja: ‘Mbaje mirë këtë, se është e botës, nuk është e imja’”, u shpreh Bledar Meminaj, avokat.
“Me zhvillimet e reja po shohim që ka një trend gjithnjë e më shumë në rritje të ritmit të sekuestrimit të pasurive të caktuara. Puna e SPAK-ut, pra të gjitha dosjet e SPAK-ut, ka çuar në rritjen e aseteve që janë sekuestruar nga shteti dhe janë në dispozicion të shtetit. Natyrisht, nuk janë pronë e shtetit, por janë në dispozicion të shtetit”, u shpreh Pano Soko, ekspert ekonomie.
Top Channel