BE e shqetësuar për mundësinë e ndryshimit të ligjit për Gjykatën Speciale në Kosovë: Nevojë për konsultime paraprake Monika Kryemadhi deklaroi se ka qenë ajo që ka negociuar kontratën e lobimit të LSI-së me kompaninë amerikane GSIS, ndërsa ish-bashkëshorti i saj, Ilir Meta, nuk kishte dijeni për veprimet e kryera.
Pas seancës së sotme në Gjykatën e Posaçme, ku paraqiti kundërshtimet ndaj provave të SPAK-ut, ish-deputetja tha se kontrata ishte firmosur nga Petrit Vasili, ndërsa tri faturat e LSI-së ishin paguar nga Luan Rama, në cilësinë e sekretarit të përgjithshëm të partisë.
“Kontrata është firmosur nga Petrit Vasili. Negociatat me kompaninë i kam bërë unë, ndërsa tri faturat e LSI-së i ka paguar sekretari i përgjithshëm, Luan Rama. Në këtë kontekst, për hir të së vërtetës, Ilir Meta nuk ka pasur komunikim për kontratën dhe nuk ka pasur dijeni për çfarë kemi bërë ne”, deklaroi Kryemadhi.
Ajo kundërshtoi pretendimin e SPAK-ut se pagesat e kryera nga kompania Unifi ndaj GSIS-it ishin bërë për llogari të LSI-së. Sipas saj, faturat nuk përputhen me njëra-tjetrën, pasi kanë numra të ndryshëm dhe nuk ka të dhëna që lidhin pagesat e Unifi me partinë.
“Kur sheh pasqyrën bankare që ka ardhur me letërporosi nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, rezulton se fatura që organi i akuzës, pra SPAK-u, pretendon se është për LSI-në, nuk ka të njëjtin numër me faturën që kompania Unifi i ka paguar GSIS-it”, tha ajo.
Për këtë arsye, Kryemadhi kërkoi që përmes letërporosisë të sigurohen nga Bank of America faturat që pretendohet se janë paguar nga Unifi, si dhe informacion nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë për deklarimet e kompanisë GSIS në regjistrin FARA.
Ish-deputetja kërkoi gjithashtu thirrjen si dëshmitar të Dennis Burke, përfaqësuesit të GSIS-it, i cili, sipas saj, kishte ardhur në Shqipëri në vitin 2016 për të ndërmjetësuar në procesin e reformës në drejtësi.
“Kemi kërkuar të thirret si dëshmitar edhe Dennis Burke, përfaqësuesi i GSIS-it që erdhi në Shqipëri për reformën në drejtësi. Ai është takuar me ambasadorin amerikan të asaj kohe, Donald Lu, me Fatmir Xhafajn, që drejtonte komisionin e reformës në drejtësi, si dhe me Lulzim Bashën dhe Edi Ramën. Ai duhet të vijë të tregojë për çfarë ishin këto takime, sepse kontrata e lobimit për të cilën flasim kishte të bënte vetëm me reformën në drejtësi në atë kohë”, deklaroi Kryemadhi.
Sipas saj, në atë periudhë LSI-ja kërkonte një ndërmjetësues mes ambasadës amerikane dhe Partisë Demokratike, për të mundësuar miratimin me konsensus të reformës në drejtësi.
E pyetur për deklaratat e Metës se ndaj tij ishte ushtruar presion lidhur me emërimet në Gjykatën Kushtetuese, Kryemadhi pretendoi se kishte qenë ajo që i kishte përcjellë një mesazh nga ambasadori i një vendi të Bashkimit Europian.
“Për çështjen e Gjykatës Kushtetuese, jam unë që ia kam përcjellë zotit Meta mesazhin e një ambasadori të një vendi të Bashkimit Europian. Për hir të së vërtetës, mund të pyesni zotin Vasili”, u shpreh ajo.
Ish-deputetja përmendi edhe ish-ambasadoren amerikane Yuri Kim, duke pretenduar se ajo ishte përfshirë në çështjen e lobimit, ndërsa ngriti pikëpyetje për dokumentacionin bankar të mbërritur nga Shtetet e Bashkuara në vitin 2024.
Në fund, Kryemadhi komentoi edhe deklaratën e saj në gjykatë, ku ishte shprehur se “burri i botës ishte në burg”, duke sqaruar se i referohej Ilir Metës.
“’Burri i botës’ është thjesht një shprehje shqiptare. Për mua tani është i botës. Nuk është i imi, është i Partisë së Lirisë”, tha Kryemadhi.
Deklarata e plotë e Monika Kryemadhit pas përfundimit të seancës gjyqësore
Pyetje: Na thoni çfarë pretenduat sot për episodin e fundit të lobimit?
Kryemadhi: Sot, për episodin e fundit të lobimit, unë kundërshtova pretendimet e prokurorisë që faturat që kompania Unifi i ka paguar kompanisë së lobimit GSIS, ata hamendësojnë sikur janë paguar për LSI-në. Por, kur merr statement-in bankar që ka ardhur me letërporosi nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, rezulton se fatura që organi i akuzës, pra SPAK-u, pretendon se është për LSI-në, nuk ka të njëjtin numër me faturën që kompania Unifi i ka paguar GSIS-it.
Çfarë do të thotë kjo? E shpjegova edhe në sallën e gjyqit. Nëse unë dhe Fation Gjini paguajmë të dy energjinë elektrike te OSHEE-ja, kjo nuk do të thotë që energjinë që ka paguar Fationi, e ka paguar për mua. Fationi ka faturën e vet, Monika ka faturën e vet. Fation Gjini mund ta paguajë edhe energjinë për mua, por atëherë thotë: “Unë po paguaj 2.000 apo 3.000 lekë për energjinë elektrike të Monika Kryemadhit.” Ndërkohë, fatura së cilës i referohet SPAK-u nuk ka asnjë të dhënë që e lidh me LSI-në. Është një faturë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me numër 12-shifror, ndërsa faturat e LSI-së janë me katër numra.
Pyetje: Cilët dëshmitarë kërkuat të thirren?
Kryemadhi: Së pari, kemi kërkuar që, me letërporosi, të pyetet Departamenti Amerikan i Drejtësisë për deklarimet që G.S.I.S. ka bërë në regjistrin zyrtar të FARA-s. Pra, kush është personi që i ka bërë këto deklarime?
Së dyti, kërkojmë që Bank of America të sjellë faturat që pretendohet se janë paguar nga kompania Unifi. Nuk mund të sjellësh thjesht një statement bankar, sepse në statement-in bankar të G.S.I.S.-it është edhe Parlamenti meksikan. Kjo s’do të thotë që Parlamenti meksikan ka paguar G.S.I.S.-in në favor të LSI-së. Faturat për të cilat pretendojnë se janë paguar nga kompania Unifi, me çfarë atributi dhe me çfarë të dhënash i ka lëshuar G.S.I.S.-i? Për çdo faturë që pretendohet se është për shpenzime, duhet të jetë autorizimi nga LSI-ja, sepse në kontratë, nëse kemi shpenzime administrative mbi 1.000 dollarë, parashikohej që ato të miratoheshin nga LSI-ja. GSIS-i duhet të paraqesë autorizimin që është lejuar nga LSI-ja.
Kemi kërkuar të thirret si dëshmitar edhe Dennis Burke, që ka qenë përfaqësuesi i GSIS-it që erdhi në Shqipëri për reformën në drejtësi. Nëse e mbani mend, ishte periudha e nenit 88 të famshëm, për të cilin nuk po arrihej dakordësia me Partinë Demokratike. Ai është takuar me ambasadorin amerikan të asaj kohe, Donald Lu, me Fatmir Xhafajn, që drejtonte komisionin e reformës në drejtësi atëherë, si dhe me Lulzim Bashën dhe Edi Ramën. Ky person duhet të vijë të tregojë për çfarë ishin këto takime, sepse kontrata e lobimit për të cilën flasim kishte të bënte vetëm me reformën në drejtësi në atë kohë.
Kërkojmë të pyetet presidenti aktual i GSIS-it nëse ka dijeni për veprimet financiare që ka firmosur apo për deklarimet që ka bërë në përgjigje të letërporosisë.
Pyetje: Zonja Kryemadhi, Meta deklaroi në gjykatë se, nëse ka bërë ndonjë shkelje në këtë pikë, e ka bërë përmes jush, duke ju atashuar më shumë në lidhje me rolin tuaj në strukturat e LSI-së sesa si bashkëshorte apo ish-bashkëshorte. Keni një koment?
Kryemadhi: Ai më përmendi në aspektin politik dhe organizativ. Unë isha sekretare organizative. Kjo kontratë së cilës i referohet organi i akuzës nuk ka asnjë firmë të Ilir Metës dhe, për këtë kontratë, nuk ka asnjë komunikim të tij me GSIS-in. Ilir Meta ka vetëm dy komunikime me ta. Njëri lidhet me ardhjen e ish-prokurorit Dennis Burke, përfaqësues i GSIS-it, në qershor të vitit 2016 për reformën në drejtësi në atë kohë. Tjetri lidhet me një takim që mund të jetë zhvilluar në shkurt 2016.
Kontrata është firmosur nga Petrit Vasili. Negociatat me kompaninë i kam bërë unë, ndërkohë personi që ka bërë pagesat e tri faturave të LSI-së është sekretari i përgjithshëm, Luan Rama. Në këtë kontekst, për hir të së vërtetës, Ilir Meta ka zero komunikim për kontratën dhe zero dijeni për çfarë kemi bërë ne.
Nëse kthehemi pas në kohë, Partia Demokratike kishte zero komunikim me ambasadën amerikane. Ambasada amerikane dhe zoti Lulzim Basha nuk komunikonin. Ne na duhej një ndërmjetësues mes ambasadës amerikane dhe Partisë Demokratike, për të realizuar votën në konsensus për reformën në drejtësi.
Ah, po, Ilir Meta ka zhvilluar një takim në janar të vitit 2016 me ambasadorin William Brownfield, zyrtar i Departamentit Amerikan të Shtetit, i cili i kërkoi që reforma në drejtësi të votohej me konsensus, jo me votim të njëanshëm. Në atë kohë, nëse e mbani mend, Romana Vlahutin filloi negociatat për blerjen e nëntë deputetëve të Partisë Demokratike, që të realizoheshin ndryshimet kushtetuese me vota të blera. Kjo u kundërshtua si nga kryetari i atëhershëm i Kuvendit, zoti Meta, ashtu edhe nga ambasadori Brownfield.
Pyetje: Kur ju po shpjegonit çështjen e përgjigjeve të amerikanëve, ju thatë, po ju citoj: “Ndërkohë, burri i botës ishte në burg”. E kishit fjalën për Metën?
Kryemadhi: Po, patjetër. Nëse hetimi për lobimin dhe për gjithë dosjen vazhdonte ende, si mund të çohej çështja për gjykim? Nëse dosja ka vajtur në gjykatë më 28 gusht dhe ti vazhdon të marrësh dëshmi, vazhdon të marrësh, sepse vërtet prokuroria mund të pretendojë se kërkesën për letërporosi e ka bërë në korrik të vitit 2024.
Pyetje – Po pse e quani “Burri i botës”? Eshtë thjesht një shprehje shqiptare kjo?
Kryemadhi – Për mua tani është i botës. Nuk është i imi, është i Partisë së Lirisë.
Pyetje: Zonja Kryemadhi, Meta u ndal në dy pika. Së pari, tha se një grup ndërkombëtarësh, mes tyre McGonigal dhe ish-ambasadorja amerikane, kanë krijuar dosjen kundër tij. Së dyti, është kërcënuar për emërimet në Gjykatën Kushtetuese. A keni qenë në dijeni të këtyre rasteve?
Kryemadhi: Patjetër që kam qenë në dijeni. Për çështjen e Gjykatës Kushtetuese, jam unë që ia kam transmetuar zotit Meta mesazhin e një ambasadori të një vendi të Bashkimit Europian. Për hir të së vërtetës, mund të pyesni zotin Vasili. Ai i thotë: “Lëre këtë zonjën të kalojë, se pastaj diskutojmë me Ramën që të vendosim zonjën Xhaferllari.” Madje, unë e kam mesazhin, e kam në shtëpi.
Në atë kohë isha në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për një vizitë zyrtare dhe po bisedoja me zotin Vasili. Ai më pyeti: “More vesh çfarë ka ndodhur? I kanë çuar këtë mesazh. Çfarë thua t’i them?” Unë komunikova drejtpërdrejt me personat përkatës në Departamentin e Shtetit, duke bërë prezent mesazhin e dërguar, se ishte thënë se ambasada amerikane, ajo britanike dhe, më duket, edhe ajo gjermane do të dilnin me një deklaratë për favorizimin e zonjës Arta Vorpsi. Pastaj Meta le të bënte një marrëveshje apo allishverish me Ramën që, kur të vinin tri propozimet e tjera nga Gjykata e Lartë, le ta vendoste Marsida Xhaferllarin në treshen e Gjykatës së Lartë. Meta sigurisht që s’mund ta pranonte këtë. Pasi u vunë në dijeni institucionet amerikane, që kishin mbështetur reformën në drejtësi, zgjedhja u bë sipas rendit kushtetues. Pra, u kërcënua në mënyrë të njëanshme, duke përdorur instrumentet e ambasadave që funksiononin në Shqipëri. Për këtë mesazh e kam informuar unë Departamentin e Shtetit.
Sa i përket Yuri Kim, po, është e vërtetë që Yuri Kim është e përfshirë në çështjen tonë të lobimit. Letërporosia ka ardhur në vitin 2024, para zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ka ardhur vetëm një pasqyrë bankare, pa shpjeguar se për çfarë i ka bërë pagesat Monika Kryemadhi në bankë. Të gjithë bëjmë pagesa. Para 15 vjetësh mund të mos na kërkonin gjëra të tilla, por sot, edhe kur bëj një pagesë në bankë, edhe nga aplikacioni i bankës, më kërkon faturën elektronike ose foton e dokumentit. Kështu që kjo ka ardhur komplet në mënyrë të njëanshme. Është thjesht një ide: “Hajde ta mbajmë sa më gjatë brenda, se pastaj hajde se flasim.”
Kryemadhi: Shumë faleminderit. Nuk e di nëse isha e qartë për ju. Unë do t’ju jap tani gjithë dokumentacionin që kam për fibrën optike, interkoneksionin, ligjin e minierave dhe analizën financiare. Sot, për shembull, i përmenda prokurorit një fakt, sepse gjyqtari më pyeti pse po kërkoja të flisja për lobimin. I thashë se edhe përmendja e të ardhurave financiare në vitet e gabuara, në mënyrë të njëanshme apo lapsus, kanë krijuar perceptime të gabuara në akuzë dhe në procesin gjyqësor. Ju faleminderit shumë.
Top Channel