Festa e ullirit në Dushk, fermerët ankohen për çmimin e ulët dhe mungesën e punëtorëve

09/11/2026 15:29

Për të disatin vit radhazi u zhvillua në Dushk të Lushnjës festa e ullirit.

Edhe pse kultivuesit flasin për një prodhim të bollshëm dhe vaj ulliri me cilësi të lartë, realiteti për kultivuesit e zonës mbetet sfidues.

Sipas prodhuesve vendas, dy sfidat kryesore që rëndojnë mbi ta janë mungesa e fuqisë punëtore për vjeljen dhe vështirësitë në sigurimin e një tregu të qëndrueshëm shitjeje.

Situata bëhet edhe më kritike për shkak të çmimit. Aktualisht, vaji i ullirit tregtohet me 5 mijë lekë të vjetra për litër, një shifër që sipas fermerëve është e pamjaftueshme dhe nuk justifikon kostot e larta të punimit, krasitjes, mbrojtjes dhe përpunimit.

Në këtë situatë, kultivuesit e Dushkut kërkojnë vëmendje dhe ndërhyrjen e menjëhershme të Ministrisë së Bujqësisë. Ata kërkojnë mbështetje institucionale për të hapur rrugën e eksportit drejt tregut ndërkombëtar, ku vaji cilësor i Myzeqesë mund të vlerësohet dhe të shitet me çmimin e merituar, duke i dhënë frymëmarrje ekonomike bujqësisë lokale.

Top Channel