Festa e ullirit në Dushk, fermerët ankohen për çmimin e ulët dhe mungesën e punëtorëve
Rreth 90 qytetarë janë paraqitur gjatë javës së fundit në repartin infektiv të Spitalit Rajonal të Vlorës, me simptoma si diarre, të vjella dhe probleme gastrointestinale.
Rastet e regjistruara kanë shtuar shqetësimin e qytetarëve, të cilët ngrenë dyshime se shkak mund të jetë bërë ndotja e ujit të pijshëm. Disa prej tyre pohojnë se kanë pasur shqetësime të ngjashme shëndetësore gjatë ditëve të fundit, ndërsa të tjerë shprehen se nuk kanë pasur probleme dhe se për konsum përdorin kryesisht ujë të ambalazhuar.
Për situatën ka reaguar edhe Ujësjellës-Kanalizime Vlorë, i cili në një deklaratë zyrtare bën me dije se, bazuar në analizat e kryera deri më tani, parametrat e ujit kanë rezultuar brenda normave të lejuara. Ndërkohë, përgjigjet përfundimtare priten nga Instituti i Shëndetit Publik, pas analizimit të mostrave të marra, të cilat pritet të përcaktojnë nëse ishte ndotja e ujit që solli simptomat e ngjashme me helmimin te qytetarët.
Sa i përket gjendjes shëndetësore të fëmijëve, të shtatë të miturit që ishin të shtruar në repartin e pediatrisë ditën e premte kanë lënë sot spitalin dhe janë rikthyer në banesat e tyre.
Megjithatë, fluksi në repartin infektiv ka vijuar edhe gjatë fundjavës, ku të shtunën janë regjistruar 35 vizita dhe të dielën 25 të tjera. Pacientët kanë marrë ndihmën mjekësore dhe më pas janë larguar nga spitali. Ndërsa gjatë ditës së sotme, numri i personave që kanë kërkuar ndihmë mjekësore ka qenë më i ulët, me vetëm pesë vizita të regjistruara.
Top Channel