Një protestë mbarëkombëtare kundër vrasjes së grave mbahet sot në Prishtinë, duke nisur nga ora 12:00.
Tubimi i disatë mbahet pas vrasjes së Arlinda Zekajt më 25 tetor, e cila dyshohet se u vra nga kunati i saj. Ngjarja ka nxitur protesta dhe reagime publike, të cilat vijojnë prej dhjetë ditësh.
Organizatorët e protestës kërkojnë drejtësi për Arlinda Zekajn dhe përgjegjësi institucionale për trajtimin e rastit. Përmes thirrjes publike, ata akuzojnë institucionet përgjegjëse se kanë dështuar të garantojnë mbrojtjen e grave që kërkojnë ndihmë përballë dhunës.
Një nga kërkesat kryesore të protestuesve është që shteti i Kosovës ta shpallë femicidin urgjencë kombëtare, si dhe të marrë masa konkrete për parandalimin e dhunës ndaj grave.
Në listën e kërkesave përfshihen shkarkimi dhe ndjekja penale e zyrtarëve të drejtësisë dhe institucioneve të përmendur nga organizatorët, mes tyre kryeprokurorja Lumturije Vuçetaj, prokurorja Suada Rama Hamza, kryetari i gjykatës Shemsedin Haxhiaj, gjykatësi Migjen Kastrati, ushtruesja e detyrës së drejtores së Qendrës për Punë Sociale, Shpresa Lukaj, si dhe togeri Faruk Muqolli.
Protestuesit kërkojnë gjithashtu shkarkimin e Donika Gërvallës dhe Xhelal Sveçlës, dorëheqjen e Gazmend Muhaxherit, sigurimin e banimit social për të mbijetuarat e dhunës në familje, si dhe një proces vetingu të pavarur dhe jopartiak në sistemin e drejtësisë.
Një tjetër kërkesë është legalizimi i sprejit vetëmbrojtës për gratë, si masë për rritjen e sigurisë së tyre.
Organizatorët theksojnë se protesta nuk bëhet vetëm në emër të Arlinda Zekajt dhe grave të tjera të vrara, por edhe në mbrojtje të çdo vajze dhe gruaje në Kosovë, duke kërkuar përgjegjësi institucionale dhe masa konkrete kundër dhunës me bazë gjinore.
Top Channel