Pengu i Gjergj Menës për shfaqjen e fundit, drejtoresha e Teatrit të Kukullave: Nuk u ankua asnjëherë, edhe pse ishte sëmurë

04/11/2026 15:38

“Yerma”, e bazuar në tragjedinë e famshme të dramaturgut spanjoll Federico García Lorca ishte shfaqja e fundit që regjisori Gjergj Mena realizoi me sukses në bashkëpunim me Teatrin e Kukullave. Me këtë vepër, artisti e projektoi enkas për artistët e rinj, që i ngjiti në skenë, ashtu sikurse kishte bërë gjatë viteve të fundit. Mbështetja dhe krijimi i hapësirave për të rinjtë ishte shndërruar në mision jete.

“Me përfundimin e TK RIN ART që Gjergji e realizoi si drejtues i projektit me të gjitha gjimnazet e Tiranës, ai përzgjodhi talentet më të spikatur për t’i bërë pjesë të projektit ‘Yerma’, që ishte një vepër për të rritur, por ata e sollën në mënyrë të përsosur. Ai njihte shumë mirë si funksiononin ata, me frikërat, pasionet, adrenalinën që i karakterizon të rinjtë e sotëm”, ka thënë Melsi Qirici, drejtoreshë e Teatrit të Kukullave.

“Yerma” ishte pjesë e kalendarit të Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit Bashkëkohor SKAMPA, por përkeqësimi i shëndetit e detyroi Gjergj Menën të anulonte shfaqjen, thotë drejtoresha e Teatrit të Kukullave.

“Kemi qenë gjithë kohës duke punuar së bashku. Fatkeqësia ishte që nuk i çuam dot në Teatrin Skampa. Unë nuk arrita ta ndiqja dot si aktivitet, jam e bindur që i ka ngelur peng, megjithatë shfaqjen e fundit e bëmë në Teatrin e Kukullave”, u shpreh Melsi Qirici.

Gjergj Mena vuante nga një sëmundje të rëndë tumoriale, por problemet shëndetësore nuk i shfaqte pranë kolegëve që kujtojën përkushtimin e tij për teatrin.

“Ngjarja ishte e rëndë dhe shumë e papritur sepse ne kemi punuar deri ditët e fundit. Një njeri që nuk u ankua kurrë, nuk tha asnjëherë që është sëmurë. Kishte një energji të jashtëzakonshme, edhe kur nuk kishte zë për të komunikuar, flisnim me mesazhe deri natën vonë”, u shpreh drejtoresha e Teatrit të Kukullave.

Ndarja nga jeta e Gjergj Menës në moshën 41-vjeçare ka tronditur botën e artit. Aktorë, regjisorë dhe artistë të shumtë kanë shprehur keqardhjen për humbjen e parakohshme të tij, ndërsa kanë vlerësuar kontributin e tij për artin në skenë, por edhe në sallat e auditorëve, ku ka dhënë mësim.

Top Channel