Tetë vjet burg për dy ish-drejtuesit e federatës algjeriane, ndërsa një tjetër u dënua me gjashtë vjet. Hetimet lidhen me kontrata për furnizimin me veshje sportive dhe dyshime për shpërdorim të fondeve publike.

Tre ish-presidentë të Federatës së Futbollit të Algjerisë (FAF) janë dënuar me burgim nga gjashtë deri në tetë vjet për akuza që lidhen me korrupsionin dhe parregullsitë në lidhjen e kontratave. Vendimi u dha nga gjykata Sidi M’Hammed në Algjer, sipas burimeve të cituara nga agjencia italiane e lajmeve ANSA.

Dënimin më të rëndë, me nga tetë vjet burg, e morën Kheireddine Zetchi, i cili drejtoi federatën nga marsi i vitit 2017 deri në prill 2021, dhe Charaf-Eddine Amara, në krye të saj nga prilli 2021 deri në korrik 2022. Ndërkohë, Djahid Zefizef, president i FAF-së nga korriku 2022 deri në korrik 2023, u dënua me gjashtë vjet burg. Të tre ish-drejtuesit u gjobitën gjithashtu me nga një milion dinarë algjerianë, rreth 6,666 euro secili.

Çështja lidhet me kontratën e Federatës Algjeriane të Futbollit me kompaninë gjermane të veshjeve sportive Adidas, e cila furnizon me uniforma ekipet kombëtare të vendit, si dhe me marrëveshje të lidhura me një kompani tuniziane. Sipas akuzave, të pandehurit dyshohet se kanë shpërdoruar detyrën për të favorizuar palë të caktuara, kanë lidhur kontrata në kundërshtim me ligjet në fuqi dhe kanë përvetësuar ose keqpërdorur fonde publike.

Procedura gjyqësore përfshinte gjithsej 19 të pandehur. Dy ish-sekretarë të përgjithshëm të federatës dhe një ish-drejtor administrativ u dënuan me nga tre vjet burg dhe gjobë prej një milion dinarësh. Për të pandehurit e tjerë, dënimet variojnë nga dy deri në pesë vjet burg, ndërsa disa prej tyre u shpallën të pafajshëm.

Top Channel