Humbja 5-2 në shtëpi ndaj skuadrës zvicerane ndez polemikat në klubin spanjoll. José Bordalas akuzoi drejtuesit se nuk kanë mbajtur premtimet, ndërsa presidenti Ángel Torres iu kundërpërgjigj ashpër.

Një humbje e rëndë në fushën e vet ka shkaktuar një përplasje të pazakontë te Getafe, ku trajneri José Bordalas dhe presidenti Ángel Torres kanë shkëmbyer deklarata të forta. Shkak u bë disfata 5-2 ndaj Luganos në Ligën e Konferencës, një rezultat që ka nxjerrë në pah pakënaqësitë e trajnerit për mënyrën se si është menaxhuar skuadra dhe për planifikimin e merkatos. Pas ndeshjes, Bordalas nuk i kurseu kritikat ndaj drejtuesve, duke shpjeguar se ishte detyruar të aktivizonte një formacion me rotacion për të kursyer lojtarët kryesorë për sfidat e radhës. Megjithatë, zgjedhja rezultoi e gabuar dhe Getafe pësoi pesë gola në shtëpi.

“Duhet të përqendrohemi te ndeshja kundër Bilbaos. Ata janë një skuadër më e madhe dhe më e mirë. Me gjithë respektin për Luganon, në Spanjë konsiderohet një ekip i një niveli më të ulët, por arriti të na shënojë pesë gola. Sot u pa se nuk mund t’i lë lojtarët e mi të pushojnë. Të gjithë e vunë re se nuk bëra asnjë ndryshim. Nuk e meritoj këtë situatë”, deklaroi trajneri.

Bordalas shkoi edhe më tej, duke shprehur hapur zhgënjimin e tij për premtimet e pambajtura nga drejtuesit e klubit. “Ndihem i mashtruar, sepse ajo që më është premtuar nuk është përmbushur. Jam i zemëruar. E dua Getafen dhe kjo është shumë e dhimbshme për mua”, u shpreh ai.

Përgjigjja e presidentit Ángel Torres nuk vonoi. Kreu i klubit madrilen hodhi poshtë akuzat e trajnerit dhe vuri në pikëpyetje qëndrimin e tij nëse është kaq i pakënaqur me situatën. “Ajo që nuk kuptoj është se çfarë po bën këtu nëse është kaq i pakënaqur. Unë nuk e kam mashtruar atë dhe as askënd tjetër. Ai duhet t’i respektojë lojtarët, ashtu siç e respektojnë ata. Nuk do të përfshihem në një luftë fjalësh për të parë se kush del fitues”, deklaroi Torres.

I pyetur nëse klubi do të ndërmarrë masa pas deklaratave të trajnerit, presidenti u përgjigj se nuk kishte ndërmend të vepronte në këtë drejtim. “Jo, asgjë. Nuk është aq e rëndësishme. Ai po mendon për diçka, por tani lojtarët do t’i tregojnë se e ka gabim. Pikë. Më pas, është koha për t’iu rikthyer punës. Ajo që duhet të bëjmë është të fitojmë në Bilbao”, përfundoi presidenti.

Kështu, humbja ndaj Luganos ka hapur një front të ri tensioni te Getafe, ku përplasja publike mes trajnerit dhe presidentit rrezikon të zhvendosë vëmendjen nga objektivi i menjëhershëm: rikthimi te rezultatet pozitive.

Top Channel