Jose Mourinho dhe ‘El Clasico’; trajneri portugez u rikthye në muajt e kësaj vere dhe rigjen një ambient shumë të nxehtë në prag të supersfidës së futbollit spanjoll por që do të ketë vëmendjen e të gjithë botës.

Ndodh që nga viti 2013 që Mourinho nuk është në pankinën e Realit të Madridit ndaj Barcelonës. Në atë kohë ne Bernabeun e vjetër kishte fituar 2-1, por në atë që do të ishte sezoni i tij i fundit me Los Blancos nuk fitoi shumë lavdi; vendi i dytë në kampionat pas Barcelonës, eliminim në gjysmëfinale të Ligës së Kampioneve nga Borussia Dortmund, humbje në finalen e Kupës së Mbretit nga Atlerico Madrid.

Reali i Madridit aktual që do të udhëtojë drejt Barcelonës për këtë ndeshje  dhe sheh skuadrën e Flick nga vendi i tretë, por në Ligën e Kampioneve është në pozicion më të mirë se rivalët blaugrana me 9 pikë të plota pas 3 javëve. Sigurisht është një Real në gjendje mjaft të mirë që shkon në Katalonjë i nxitur edhe nga dy fitoret me rezultatin 4-1 ndaj Sevillas dhe Leipzigut

Diferenca prej 6 pikësh e krijuar me Barcelonën është fryt i ‘shtatorit të errët’ që i pa Los Blancos të humbasin ndaj Betis dhe në derbin me Atletico Madrid. Që nga mbrëmja e 20 shtatorit, skuadra merenges ka pasur vetëm fitore. Reali i Madridit ka rigjetur Arda Guler që bën gjithçka dhe që i mungonte zemrës së lojës; ndaj Sevillas, Reali falë edhe gjeometrisë së mesfushorit turk arriti rekordin e zotërimit të topit prej 65%, një e dhënë kjo që është shumë pak…mourinhiane. Kështu tani skuadra madrilene e sheh veten me dy organizatorë, duke qënë se në Evropë ai që diktoi ritmin e lojës ishte Bernardo Silva.

Në sulm, Kylian Mbappe vazhdon të shënojë(9 gola në 9 javë kampionat, 3 në 3 ndeshje të Champions) dhe mungesa e Vinicius për shkak skualifikimi nuk shqetëson shumë duke qenë se Diomande po shfaqet; të mërkurën ai dha asist ndaj Mbappe dhe më pas me një gjuajtje fluturimthi shënoi golin e tij të parë në kompeticionin më të rëndësishëm evropian për klube. Tjetër lajm i mirë për Mourinhon është edhe forma e shkëlqyer që po përjeton Courtois dhe rikuperimi i plotë i Valverde që duket se është më komod në rolin e tij të ri si mbrojtës i djathtë.

‘El Clasico’ nuk është kurrë një ndeshje normale për Jose Mourinhon që për 4 sezone radhazi në fund të viteve ’90 ka qenë në klubin blaugrana si asistenti i Bobby Robson e më pas i Louis Van Gaal. Me fjalë të tjera edhe ai është pak një ‘ish’ me luzitanin që si trajner i Realit të Madridit e ka sfiduar Barcelonën 17 herë me një bilanc prej 5 fitoresh, 6 barazimesh e 6 humbjesh. Me fjalë të tjera, mbrëmja e së dielës është rasti të Mourinho të barazojë llogaritë kundër blaugranave ‘të urryer’.

Top Channel