Kjo e dielë ka rezervuar ndeshjen që do të paralizojë globin, El Clasicon e parë të sezonit në La Liga mes Barcelonës dhe Realit të Madridit. Një spektakël që do të shfaqet në një skenë si ajo e Camp Nout që do të transmetohet në platformën Digitalb, me katalanasit që shkojnë në këtë përballje me avantazhin prej 6 pikësh kundrejt rivalëve historikë.

Barcelona në kampionat ka vetëm fitore dhe është një makinë e vërtetë golash edhe pse gjatë kësaj vere humbi supergoleadorin Robert Leëandoëski. Katalanasit shënojnë me një lehtësi impresionuese, por nuk është për t’u habitur për ata që kanë ndjekur karrierën e Hansi Flick si trajner. Të gjitha skuadrat e tij kanë qenë kështu; sulmi vjen në radhë të parë dhe më pas provohet me pësimin e një goli më pak, sidomos kur ke në dispozicion mbrojtës shumë të aftë si djaloshi Cubarsi.

Shifrat e Barcelonës në kampionat në prag të El Clasico janë ato që të bëjnë më shumë përshtypje. Barcelona ka 9 fitore në 9 ndeshje, është në krye dhe ka një bilanc me 39 gola të shënuar dhe 9 të pësuar. Praktikisht ka një mesatare prej 4.5 golash të shënuar për ndeshje. Klasifikimi i golashënuesve sheh në krye Raphinha me 12 gola, por në vendin e tretë është një tjetër futbollist blaugrana; Lamine Yamal me 8 gola. Me 4 gola gjejmë Fermin Lopez dhe 3 të tillë i ka rezerva e luksit, Gabriel Jesus. Ajo që i ndez pak shpresat Realit të Madridit është rezultati i Barcelonës në ndeshjen me Paris Saint Germain që përkon me humbjen e parë sezonale të blaugranave. Por ajo ishte një ndeshje ndaj kampionëve në fuqi të Evropës e për më tepër, ajo humbje nuk i dëmton shanset e mëdha të Barcelonës për t’u kualifikuar direkt në 1/8 e finaleve

Por të mendosh për një Barcelonë të ridimensionuar nga humbja në Paris do të thotë se nuk e njeh botën që rrethon këtë skuadër. Futbollistët janë të vetëdijshëm për forcën e tyre dhe për lehtësinë me të cilën mund të fitojnë thuajse të gjitha ndeshjes. Katalanasit nuk do të hiqnin kurrë dorë nga identiteti i tyre për të tentuar t’i rrëmbenin 1 pikë mikut të vjetër Luis Enrique. Do të jetë për ndeshjen e radhës kur gjithçka do të bëhet më serioze në një sfidë të dyfishtë me eliminim direkt. Tani fokusi është te El Clasico duke punuar fort. Pas ndeshjes me Paris Saint Germain, Flick grumbulloi furbollistët e tij për një stërvitje rikuperimi të mërkurën për t’i lënë të lirë të enjten duke vënë në dispozicion stafin për ata që u stërvitën në mënyrë vullnetare; ishin 11 futbollistë që u paraqitën mes të cilëve edhe Lamine Yamal e Pedri. Është kjo një shenjë që grupi nuk dëshiron të ndalet përballë Jose Mourinhos dhe provokimeve të tij.

Top Channel