Horror për kapitenin e Manchester United, grabitësit i futen në vilën luksoze ndërsa luante në Champions

22/10/2026 19:29

Kapiteni i Manchester United, Bruno Fernandes, është përballur me një ngjarje tronditëse, pasi vila e tij luksoze në Cheshire të Anglisë është grabitur nga tre persona të maskuar, ndërsa futbollisti ndodhej në Itali për ndeshjen e Champions League kundër Comos.

Sipas raportimeve të mediave britanike, grabitja ndodhi rreth orës 20:30 të së mërkurës, më 21 tetor, në banesën me gjashtë dhoma gjumi në zonën Nether Alderley, pjesë e një prej zonave më të pasura të Cheshire, e njohur si “Trekëndëshi i Artë”.

Autorët dyshohet se kanë hyrë në pronë nga pjesa e pasme e kopshtit, që kufizohet me një zonë të pyllëzuar. Ata kanë marrë bizhuteri luksoze dhe sende të tjera me vlerë, përpara se të largoheshin pa lënë gjurmë.

Nuk dihet ende nëse bashkëshortja e futbollistit, Ana Pinho, dhe dy fëmijët e tyre ndodheshin në banesë në momentin e grabitjes.

Sipas policisë së Cheshire, autoritetet u njoftuan pasi një fqinj kishte vënë re tre persona të panjohur në kopshtin e pronës.

Efektivët mbërritën në vendngjarje brenda pak minutash, por autorët ishin larguar. Gjatë kontrollit, policia konstatoi se në banesë ishte kryer një grabitje dhe se disa sende ishin vjedhur.

“Hetimi është në fazat e para dhe jemi të angazhuar të bëjmë gjithçka që është e mundur për të identifikuar personat përgjegjës”, deklaroi inspektori David Jarvis, nga sektori hetimor i Macclesfield.

Policia po shqyrton pamjet e kamerave të sigurisë në zonën përreth dhe u ka bërë thirrje banorëve që mund të kenë vënë re lëvizje të dyshimta të ndihmojnë hetimet.

Sipas raportimeve, banesa e Fernandes ishte e pajisur me kamera sigurie, sistem alarmi me zona të dedikuara dhe porta elektrike. Megjithatë, këto masa nuk i kanë penguar autorët të depërtojnë në pronë.

Grabitësit kanë lënë pa prekur automjetet luksoze të futbollistit, mes tyre një Bentley Continental GT, me vlerë rreth 250 mijë paund, dhe një Bentley Bentayga, që vlerësohet rreth 180 mijë paund.

Ngjarja dyshohet se lidhet me një fenomen të njohur në Britani si “grupet e grabitjeve gjatë ndeshjeve”, të cilat monitorojnë kalendarin sportiv për të goditur banesat e futbollistëve kur ata janë larg për angazhime me klubet e tyre.

Mes futbollistëve të tjerë që kanë qenë më herët viktima të grabitjeve të tilla përmenden edhe Ruben Dias, Jack Grealish, Raheem Sterling dhe Riyad Mahrez.

Grabitja ndodhi në fund të një mbrëmjeje zhgënjyese për Bruno Fernandes dhe Manchester United, që u mposhtën 4-1 nga Como në ndeshjen e Champions League.

Pas takimit, mesfushori portugez komentoi edhe zgjedhjet taktike të trajnerit Michael Carrick, duke vënë në dukje se skuadra i kishte lënë shumë hapësira kundërshtarit.

“Është një vendim i stafit që të mos bëjë presing lojtar më lojtar dhe ndonjëherë të lërë hapësira pas, duke u përpjekur të marrë topin. Por, kur ua lë shumë topin këtyre skuadrave, ato fitojnë besim”, u shpreh Fernandes.

Top Channel