Live/ Nga gjimnazistët e “Partizanit” te studentët e Mjekësisë dhe Politeknikut, thyhet dera e FSHN-së, nis marshimi drejt Ministrisë së Arsimit
Deputeti i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj, ka reaguar pas dhunës ndaj studentëve gjatë protestës para Ministrisë së Arsimit, duke e cilësuar studentin e prangosur te kangjellat e institucionit si simbol të Shqipërisë reale.
Në një postim në llogarinë e tij në Facebook, Gjekmarkaj akuzoi qeverinë se po u përgjigjet protestave me forcë dhe përçmim, ndërsa kërkon identifikimin dhe hetimin e përgjegjësve për dhunën. Ai u bën thirrje prindërve, pedagogëve dhe shoqërisë që të mbështesin studentët, duke theksuar se, pavarësisht dhunës, nuk mund t’u cenohet dinjiteti.
Postimi i plotë i Agron Gjekmarkajt:
POLICËT QË U THYEN KËMBËT STUDENTËVE JANË FYTYRA E VËRTETË E KËSAJ QEVERIE! STUDENTI I LIDHUR TE KANGJELLAT E MINISTRISË ËSHTË FYTYRA E SHQIPËRISË REALE!
Pamjet e policëve që dhunuan studentët dhe të studentit të lidhur te kangjellat e ministrisë janë dëshmi e një pushteti që përballet me qytetarët përmes forcës, arrogancës dhe përçmimit.
Shoqeria duhet të jetë me studentet, prinderit nuk duhet ti lënë vetem, pedagoget e kanë detyrim moral të jenë krah tyre!
Uniforma e shtetit nuk mund të përdoret si mburojë e pushtetit politik dhe as si armë kundër atyre që protestojnë.
Ervin Demo ka qënë pedagog nuk mund të sillet si kasap në mish njeriu, duhet ta refuzojë këtë metamorfozë!
Pas 135 ditësh protestash, pushteti u tremb, por, sapo mendoi se rreziku kishte kaluar, u rikthye te gjuha provokuese dhe triumfaliste.
Studentët protestojnë sepse diplomat nuk u garantojnë të ardhmen, punësimi kushtëzohet nga lidhjet partiake, familjet e tyre përballen me patronazhimin politik dhe kostot e jetesës, veçanërisht qiratë në Tiranë, për të blerë një shtepi nuk mjafton një jetë!
Të tilla rrethana ua bëjnë të pamundur ndërtimin e një të ardhmeje dinjitoze.
Pakënaqësia e tyre lidhet edhe me një sistem politik që nuk ndryshon, që kontrollon , piloton, të merr voten me shantazh.
Kur këta të rinj ishin katër vjeç, Mirela Kumbaro ishte ministre e Kulturës; sot, kur nisin universitetin, e gjejnë sërish në qeveri, tashmë në krye të arsimit, 14 vite pa nderprerje.
Ky është modeli i ofruar: një brez rritet, ndërsa pushteti mbetet po ai! Brezat nderrojne por Kryeminister gjithmonë është Edi Rama dhe një parti shtet!
Skandalet shtohen, rotacioni politik bllokohet dhe vendimmarrja institucionale shoqërohet me presion e përçmim ndaj kujtdo që kundërshton.
Reforma territoriale u miratua në këtë klimë, si një tjetër dëshmi e arrogancës së pushtetit edhe për të thyer moralin e protestuesve!
Përballë revoltës së studentëve, qeveria zgjodhi shkopinjtë, dhunën dhe përçmimin.
Policia nuk duhet të shërbejë si ushtri private e partisë në pushtet por po sherben si e tillë.
Uniforma i përket shtetit, jo Edi Ramës! Organet e sugurisë duhet të mbrojnë popullin jo qeverinë që nuk do populli!
Përgjegjësit për dhunën duhet të identifikohen, të hetohen dhe të japin llogari. Një ditë do të ndodhë.
Institucionet duhet të garantojnë të drejtën e protestës, sigurinë e qytetarëve dhe respektimin e dinjitetit njerëzor.
Shqipëria nuk është koloni dhe studentët nuk mund të trajtohen si njerëz që mashtrohen me pasqyra si indigjenet në mesjete nga ushtaret e Kolombit!
Mund t’u thyesh këmbët studentëve, por nuk mund t’ua thyesh dinjitetin. Do të dalin më të shumtë për ta mbrojtur.
Mund të godasësh protestuesit, por nuk mund ta fshehësh dështimin e një pushteti që ka frikë nga rinia dhe nga liria.
Kur pushteti u përgjigjet studentëve me dhunë, ai nuk demonstron forcë; ai firmos aktakuzën kundër vetvetes! Mbëmë me shtazerinë e dhunes ai demostroi mjerimin e vet faqe gjithe Botes!
Top Channel