Protestuesit përzënë Edi Palokën, ujë drejt deputetit të PD-së: Rama në burg, Berisha në burg
Opozita ka braktisur sot mbledhjen e Komisionit të Ekonomisë, në shenjë proteste ndaj dhunës së ushtruar nga Policia e Shtetit ndaj studentëve dhe qytetarëve gjatë protestës së djeshme pranë Ministrisë së Arsimit.
Deputeti demokrat Eno Bozdo e cilësoi dhunën të paprecedentë, duke kërkuar identifikimin dhe nxjerrjen përpara drejtësisë të përgjegjësve, ndërsa ftoi studentët, prindërit dhe pedagogët t’i bashkohen protestës së radhës.
Nga ana tjetër, kryetarja e komisionit, Milva Ekonomi, u shpreh se rastet e dhunës duhen shqyrtuar me kujdes, duke deklaruar se policia nuk e inicioi dhunën dhe se të lënduarit kanë marrë ndihmën e parë mjekësore.
Pjesë nga biseda në mbledhjen e komisionit:
Eno Bozdo: Zonja kryetare, ajo që ka ndodhur dje në Tiranë, dhuna e pashembullt e Policisë së Shtetit, e narkopolicisë, kundrejt studentëve, kundrejt gazetarëve, kundrejt qytetarëve që me të drejtë kanë protestuar pranë Ministrisë së Arsimit për të kërkuar ndryshimin e sistemit, për të kërkuar të drejtat e tyre, për të kërkuar atë që kërkojnë të gjithë qytetarët normalë të një vendi: kushtet më të mira të jetesës.
Kjo dhunë është e paprecedentë dhe, meqenëse kemi këtu edhe përfaqësuesin e Ministrisë së Brendshme, ju duhet të nxirrni sa më parë përgjegjësit përpara drejtësisë. Ata që kanë dhunuar dje studentët, u kanë thyer këmbët, i kanë gjakosur, që kanë dhunuar qytetarët pa asnjë shkak, pa asnjë provokim, me një dhunë aspak proporcionale.
Ata nuk përfaqësojnë Policinë e Shtetit, por përfaqësojnë vetëm narkoshtetin, dhe ju duhet të distancoheni urgjentisht nga akte të tilla.
Zoti zëvendësministër, nderi më i madh që mund t’i bëni vendit është t’ua hiqni uniformën atyre kafshëve që kanë dhunuar studentët dje.
Ajo që ka ndodhur dje, mizoria e paprecedentë, mua më kujton vetëm mizorinë e fundit të regjimit të Enver Hoxhës ndaj studentëve, për të cilën jam edhe dëshmitar. Nuk ka pasur ndonjëherë një dhunë të tillë, të pajustifikuar, të paprovokuar ndaj studentëve dhe qytetarëve.
Njërit i keni thyer këmbën. Një 84-vjeçari i është thyer femuri nga goditjet me shkop të policisë. Të dy janë për t’u operuar nesër.
Ju mbani përgjegjësitë tuaja politike, por nuk mund të bëni sikur nuk ka ndodhur asgjë. Ju i keni të gjithë të identifikuar: ata me rroba, ata pa rroba. Ata duhet të dalin përpara drejtësisë.
Partia Demokratike solidarizohet plotësisht me qëndrimin e studentëve. I ftojmë të gjithë të marrin pjesë: prindërit, pedagogët në radhë të parë, si dhe studentët, të bojkotojnë mësimin dhe të marrin pjesë sot në protestën e radhës, në orën 14:00, pranë Ministrisë së Arsimit.
Ne nuk do të qëndrojmë në këtë mbledhje, zonja kryetare, për arsyet e sapopërmendura.
Milva Ekonomi: Këto raste të dhunës duhen parë me kujdes, policia po bën detyrën për t’i parë me kujdes, njerëzit që kanë qenë të lënduar janë nëpër spitale dhe kanë marrë ndihmën e parë. Edhe ne distancohemi nga dhuna, por dhuna analizohet me gjithë dimensionin e vet, se nuk ishte policia ajo që e inicioi dhunën, jemi të gjithë dëshmitarë të asaj që ndodhi. I uroj shërim të shpejtë një të vjetri 85-vjeçar që ishte në protestë, por dhe duhet të bëjë pak kujdes për shëndetin e tij, dhe të riut që nuk ishte protestues, por u lëndua nga protesta. Ndërhyrje më të shpejtë dhe kirurgjikale sot
Top Channel