Blushi përplaset me Peleshin dhe Ballën, Tabaku kundërshton përjashtimin e Bardhit dhe Balliut: Shkelje e rregullores/ Opozita braktis Konferencën e Kryetarëve

13/10/2026 10:49

Debate dhe akuza në Konferencën e Kryetarëve. Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, e cilësoi të papranueshëm vendimin për përjashtimin për 60 ditë të Gazment Bardhit dhe Klevis Balliut, duke pretenduar se është në shkelje të Rregullores së Kuvendit.

Ndërkohë, Tedi Blushi lëshoi akuza të forta ndaj mazhorancës, duke kërkuar që Kuvendi të mbajë qëndrim për atë që ai i cilësoi shkelje të të drejtave të opozitës dhe kërcënime ndaj deputetëve.

Gjatë mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve, Jorida Tabaku kundërshtoi vendimin e Komisionit të Etikës për përjashtimin e kryetarit të Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, dhe deputetit Klevis Balliu.

Tabaku deklaroi se masa e përjashtimit për 60 ditë parashikohet në Rregulloren e Kuvendit vetëm për raste të caktuara dhe se vendimi ndaj dy deputetëve të opozitës është i papranueshëm.

“Vendimi i Komisionit të Etikës, i marrë ditën e djeshme, është në shkelje të plotë të Rregullores. Madje, ai tregon se nuk ka asnjë vlerësim dhe asnjë ndjeshmëri për zbatimin e saj”, u shpreh Tabaku.

Ajo kundërshtoi gjithashtu propozimet për ndryshimin e programit të punës dhe kalendarit parlamentar, duke argumentuar se axhenda është e ngarkuar me projektligje, interpelanca dhe shqyrtimin e buxhetit.

Sipas saj, Kuvendi duhet të përqendrohet te interpelancat dhe projektligjet e shtyra nga seancat e mëparshme, në vend që të ndryshojë kalendarin e punimeve.

Debate pati edhe gjatë ndërhyrjes së përfaqësuesit të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, i cili u përplas me kryetarin e Kuvendit, Niko Peleshi, dhe kreun e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.

Blushi akuzoi mazhorancën se po cenon të drejtat kushtetuese të opozitës dhe se po përdor institucionin e Kuvendit për të miratuar vendime që, sipas tij, dëmtojnë interesat e qytetarëve.

“Kuvendi është kthyer në noter dhe rrobaqepës të akteve kriminale dhe ligjeve me porosi të Edi Ramës”, deklaroi Blushi.

Ai e cilësoi përjashtimin e deputetëve të opozitës si thellim të shkeljeve të Kushtetutës dhe mohim të të drejtave të përfaqësuesve opozitarë.

Blushi kritikoi gjithashtu miratimin e hartës territoriale, të cilën e cilësoi si një hartë të shpopullimit, dhe kërkoi që qytetarët të reagojnë ndaj vendimeve të mazhorancës.

Një tjetër çështje e ngritur nga Blushi ishte ajo e pretendimeve për kërcënime dhe shantazhe ndaj deputetëve lidhur me votimet në Kuvend.

Ai përmendi deputetët Erion Braçe dhe Elisa Spiropali, duke pretenduar se ata kanë pohuar se janë kërcënuar ose shantazhuar. Blushi kërkoi që Kuvendi të mbajë një qëndrim për këto pretendime dhe që çështja të hetohet.

“Kërcënimi i deputetëve është një akt shumë i rëndë kriminal që meriton hetim”, u shpreh ai.

Blushi kritikoi edhe masat e sigurisë gjatë seancave plenare, duke përmendur blindat, gardhet metalike dhe praninë e shtuar të policisë pranë Kuvendit. Sipas tij, këto masa janë tregues të një situate që ai e cilësoi si diktatoriale.

Gjatë fjalës së tij, Blushi kërkoi gjithashtu që Kuvendi të mbajë qëndrim për konfliktin mes Gjykatës së Posaçme dhe Dhomës Kombëtare të Avokatisë, duke argumentuar se situata mund të ketë pasoja për procesin e rregullt ligjor.

Pas debateve, opozita ka braktisur konferencën.

Top Channel