Puna për dosjen e Prespës në UNESCO, ministri Gonxhja takim me homologun Grek dhe Maqedonas

09/10/2026 20:28

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, është takuar sot me homologët e tij nga Greqia dhe Maqedonia e Veriut për të nisur punën për përgatitjen e kandidaturës së rajonit të Prespës për përfshirjen në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.

Procesi do të mbështetet nga Bashkimi Europian, i cili do të financojë me 2 milionë euro studimin e fizibilitetit për këtë kandidaturë të përbashkët mes tre vendeve.

“Jemi sot në bashkinë e Prespës në Greqi, së bashku me homologët Mendoni nga Greqia, Ministre e Kulturës dhe Sulejmani nga Maqedonia e Veriut, Ministër i Kulturës dhe Turizmit, për të nisur një proces të përbashkët: përgatitjen e kandidaturës së këtij rajoni për përfshirjen në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.

Prespa na bashkon përmes natyrës, historisë dhe kulturës së saj. Duam ta mbrojmë këtë pasuri dhe të krijojmë më shumë mundësi për komunitetet që jetojnë këtu dhe më shumë turizëm të qendrueshëm.

Bashkimi Europian do të vërë në dispozicion 2 milionë euro për hartimin e studimit të fizibilitetit për këtë kandidaturë trishtetërore.

Në pjesën shqiptare, restaurimi i pikturave murale në Kishën e Shën Marisë në Maligrad, ndriçimi i kishës dhe i shtegut, si edhe Shtëpia Muze e Sterjo Spasses në Gollomboç, kanë pasuruar ofertën kulturore dhe turistike të zonës.

Po kështu, projekti ACT4PRESPA, i financuar nga BE, bashkon institucione nga të tre vendet për konservimin, digjitalizimin dhe promovimin e vlerave të papërsëritshme të trashëgimisë së Prespës së Madhe e të Vogël.

Duam gjithashtu të zhvillojmë itinerare të përbashkëta turistike, misione kërkimore e ekspedita për njohjen dhe  promovimin e Prespës dhe Ohrit, krahas shkëmbimeve artistike, sportive dhe rinore me fqinjët tanë”, u shpreh ministri.

Top Channel