Email-i kërcënues në Gjykatën e Fierit, anulohen të gjitha seancat gjyqësore të ditës së sotme
Antoneta Malo, e dënuar për mashtrim kompjuterik në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal që vepronte përmes call center-ave, i është drejtuar gjykatës së Posaçme me kërkesën për shtyrjen e ekzekutimit të dënimit.
Gazetarja e Top Channel Anila Hoxha raporton se ajo kërkon të mos nisë menjëherë vuajtjen e dënimit me argumentin se ka dy fëmijë të mitur, një vajzë 3-vjeçare dhe një djalë 1 vjeç e 3 muaj, i cili ka lindur para kohe dhe, sipas dokumentacionit të paraqitur, ka nevojë për kujdes të vazhdueshëm.
Kërkesa e saj është pranuar nga GJKKO.
Malo është dënuar nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë me 10 vite burg për mashtrim kompjuterik të kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, si dhe me 2 vite burg për veprën penale të grupit të strukturuar kriminal.
Pas bashkimit të dënimeve dhe uljes me një të tretën, në përfundim ajo u dënua me 6 vite e 8 muaj burgim. Vendimi është lënë në fuqi më 5 tetor 2026 nga Gjykata e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Në kërkesën drejtuar gjykatës, e dënuara dhe mbrojtësi i saj, avokati Sokol Tahiraj, kërkuan shtyrjen e ekzekutimit të dënimit, duke iu referuar nenit 476 të Kodit të Procedurës Penale. Sipas mbrojtjes, vuajtja e menjëhershme e dënimit mund të sjellë pasoja të rënda për dy fëmijët e mitur, veçanërisht për djalin, për shkak të moshës dhe gjendjes së tij shëndetësore.
Mbrojtja kërkon gjithashtu pezullimin e ekzekutimit të vendimit deri në shqyrtimin e kërkesës, duke argumentuar se ndarja e fëmijëve nga nëna në këtë periudhë mund të ketë pasoja të rënda për ta.
Rasti vjen një ditë pas lirimit të Greta Gjocit për një vit, duke rikthyer në vëmendje çështjet e personave të dënuar në dosjet e mashtrimeve përmes call center-ave dhe kërkesat për lehtësim të ekzekutimit të dënimit për arsye familjare.
Top Channel