Xhubleta në hartën digjitale/ Tradita dhe historitë e veshjes shqiptare në web, dijebërja ende në rrezik

07/10/2026 12:41

Përmes kësaj harte digjitale që mund të hapet në web, përdoruesit mund të eksplorojnë vendndodhjet gjeografike të lidhura me xhubletën dhe traditën e saj.

Harta për këtë pasuri të trashëgimisë sonë kulturore, e krijuar nga Qendra Antropologjike Xhubleta, mbështetet në studimet e disa studiuesve si Rrok Zojzi, Andromaqi Gjergji, Afërdita Onuzi, sipas të cilëve xhubleta është 400-vjeçare!

“Kemi paraqitur pesë lloje xhubletash që nuset, kur martoheshin, i merrnin me vete. Secili kostum shoqërohet me historikun. Fillon me xhubletën e çikës, që është xhubleta e parë që vajzat e vogla mbajnë deri në martesën e tyre dhe pastaj xhubletat që mbante”, tha studiuesi Artur Sokoli.

Artur Sokoli dhe studiuesja Luljeta Dano, që ia ka dedikuar karrierën studimit të kësaj veshjeje, kanë mbledhur koleksione xhubletash në të gjitha zonat e veriut, ku janë njohur me mënyrën si gratë i kanë ndërtuar, me kontekstin historik dhe dijebërjen e xhubletës. Çdo krijim rrëfen detaje të jashtëzakonshme për gruan që e ka veshur…

“Kemi sjellë edhe historinë e xhubletës së thakur, të prerë. Mbart historinë e grave të divorcuara. Burri vazhdonte ta mbante gruan, por në një krah të kraholit priste thakët”, tha studiuesi Artur Sokoli.

Dijebërja e xhubletës është marrë në mbrojtje nga UNESCO në vitin 2022. Por, sot kjo pasuri e të gjithë njerëzimit rrezikon ende, pasi dijebërëset po pakësohen. Për Sokolin, besimi për ruajtjen e kësaj dijebërjeje qëndron te ato pak gra që kanë njohuri për punimin e elementëve të veçantë.

“Xhubleta e fundit është punuar në vitin 1967, ka mbi 60 vite që nuk prodhohet më. Por, janë disa gra që nuk e kanë dijen e plotë të bërjes së xhubletës, por kanë fragmente të prodhimit që janë shumë të rëndësishme”, tha studiuesi Artur Sokoli.

Studiuesit e etnologjisë dhe arkeologjisë e përqasnin Xhubletën me figurën autentike të kohës së bronzit. Harta autentike e trashëgimtarëve të Xhubletës brenda territorit administrativ të Shqipërisë përfshin fshatrat e Malësisë së Madhe; Shalë, Shosh dhe Pult të Dukagjinit; fshatra të Pukës; si dhe në Lekbibaj e Ragam të trevës së Nikaj-Mërturit.

Top Channel