“Doni të ulni numrin e bashkive të djathta”/ Gazetari përplaset me Maznikun në Top Story, deputeti i PS: Kryetarët e Kavajës dhe Pukës nuk e kanë problem

07/10/2026 22:41

Ndarja e re Territoriale ka shkaktuar debat në Top Story, ku pedagogu Ermal Hasimja u përplas me bashkëkryetarin e Komisionit për Territorialen, Arbjan Mazniku.

Gazetari u shpreh se kjo lëvizje e PS-së vjen për të ulur numrin e bashkive të djathta.

“Konsultimet i keni bërë në salla me njerëzi të futur me lista. E kemi parë si ju kanë pritur njerëzit jashtë. Një gjë kisha. Kur thua që ke konsensus me veten tënde, nuk është konsensus. Fushë-Arrëzi dhe Puka janë dy bashki të djathta, shkrihen të dyja dhe ke vetëm një bashki të djathtë. Çfarë ndodh me Memaliajn kur shkrihet me Tepelenën? Memaliaj e djathtë, Tepelena e majtë.

Në këtë situatë, normal që nuk ka vend për konsensus. Bashkitë e djathta, kur nuk i bën dot të majta, i bën një dhe ulet numri. Dhe ato që janë të djathta të vogla, i fut te të majtat dhe bëhen edhe ato të majtat. Nuk është nisur nga shqetësimi për të ndihmuar qytetarët. Si t’ia bëjmë që në zgjedhjet e ardhshme vendore, PS në konsensus me veten e vet dhe të fitojë më shumë”, u shpreh Hasimja.

Nga ana tjetër, Mazniku u shpreh se shumica e bashkive që bashkohen janë të PS-së, ndërsa shtoi se kryebashkiakët e djathtë që preken nga reforma nuk kanë shfaqur kundërshtime.

“Të gjitha që bashkohen janë të PS-së përveç atyre që përmende. Po të them në terma praktikë, kryetari i bashkisë Kavajës nuk ka probleme me bashkimin, kryetari i bashkisë së Pukës nuk e ka problem këtë. Ata thonë që është mirë të bashkohen. Për të mirën e këtij territori, është mirë që bashkohen. Kundërshtimi më i madh i kësaj vjen nga socialistët. Nuk është punë numrash. Poliçani, Dimali dhe Berati, janë tre bashki që i kemi fituar dhe do t’i fitojmë prapë. Divjakën e fitonim ne, do e fitojmë prapë ne. Pyetja është që pse duhet t’i bënim këto bashkime?”, tha Mazniku.

Top Channel