“Kemi kërkuar të përcaktohet…”/ Prishtina sërish në protestë, PDK kërkon votimin e ligjit për Specialen para zgjedhjes së presidentit të ri
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se çështja e zgjedhjes së presidentit duhet të zgjidhet përpara se vendi të shkojë në zgjedhje të reja.
Kurti tha se pa një president të zgjedhur, Kosova mund të përballet me zgjedhje brenda pak orësh, ndërsa çështja e apelit, sipas tij, nuk mund të zgjidhet menjëherë.
“Nuk do të mund të fillojmë të merremi me çështjen e apelit në vitin e ardhshëm, por këtë muaj. Pa president sot, vendi është në zgjedhje për muaj të tërë”, deklaroi Kurti.
Ai paralajmëroi se nëse presidenti nuk zgjidhet, vendi mund të shkojë në zgjedhje të reja që në mesnatë.
“Sonte në mesnatë mund të shkojmë në zgjedhje sikur nuk ka ndodhur asgjë”, u shpreh Kurti, duke shtuar se çështja që po diskutohet kërkon kohë dhe se miratimi i një ligji nuk do të sillte një zgjidhje të menjëhershme.
Sipas Kurtit, prioriteti aktual është zhbllokimi i procesit të zgjedhjes së presidentit.
“Gjëja e parë që duhet ta bëjmë është heqja e pengesave që kemi mes nesh, e kjo është çështja e presidentit”, tha ai.
“Nuk duan as bashkëpunim, as takim. Ne katër hapa në takim të tyre, ata asnjë drejt nesh. As takohen, madje vendosin edhe ultimatume”, tha Kurti duke iu referuar PDK.
Por Kurti u bëri edhe një ofertë: Nëse PDK zotohet publikisht se i sigurojnë së paku gjysmën e votave të deputetëve të tyre për Bekim Sejdiun, atëherë po procedojmë me votimin në leximin e dytë.
“Nga takimi i mbrëmshëm e lamë mundësinë e takimit edhe sot. Por meqë Hamza nuk do të takohet me mua. Ju e dini se unë s’kam folur në këto katër takime. Kam dashur e dua marrëveshje, por tash Hamza na ka kushtëzuar dhe refuzon të takohemi. Prandaj edhe s’na mbetet rrugë tjetër përveç të ju drejtohemi kësisoj.
Si mund të kërkohet marrëveshje pa takim? Ne ua patëm votuar Vlora Çitakun për nënkryetare, ndërkaq Ardian Gola nuk kishte nevojë për votat e PDK-së, votuam deklaratën për Hagën, e thirrëm seancën e jashtëzakonshme dhe e vendosëm si të parin projektligjin për Dhomat e Specializuara, të cilin e kishim miratuar në Qeveri. Përmbyllja e këtyre ishte kur e votuam ligjin në parim, është votim parimor. Këto janë veprime konkrete që dëshmojnë bashkëpunimin në mirëbesim. Tash e dy vjet i kam ftuar në takim, para tri javësh filluan të vijnë e tash po refuzojnë. Kërkojnë nga Vetëvendosje 34 vota blanko e ata vetë nuk janë as sa gjysma e Vetëvendosjes.
Ata ne duhet t’i lusim e tash as nuk mund t’i takojmë më. Bëhet fjalë që thua se e kanë një mbështetje të qytetarëve, që nuk e kanë. E kemi ne, Vetëvendosje është fituese e zgjedhjeve. Sot i kemi dy përgjegjësi konkrete, zgjedhjen e presidentit dhe votimin e ligjit”, tha Kurti.
“Ta zgjedhim sot presidentin dhe unë zotohem që të enjten kalon projektligji për Dhomat e Specializuara. “Nuk mund ta shkelim rregulloren për shkak të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese”, u shpreh ai.
Top Channel