“Zhgënjimi më i madh i jetës sime”, Elena Kocaqi për politikën shqiptare: Është e neveritshme

03/10/2026 20:19

Historiania dhe pedagogia e njohur, Elena Kocaqi, ka qenë sot e ftuar në emisionin “S’e Luan Topi” me Erjona Rusin, ku ka folur për karrierën, fëmijët dhe kohën kur u vetëshpall si kandidate qytetare për postin e Presidentit të Shqipërisë gjatë zgjedhjeve presidenciale në vitin 2022.

Në 24 korrik të 2022 President u zgjodh Bajram Begaj, i cili sipas Kocaqit është i urtë.

“Njerëzit më njohin si historiane, por unë jap mësim për qeverisje dhe drejtësi. Në atë kohë u vendos Bajram Begaj se Rama nuk më donte, se donte një të urtë. Unë nuk do të rrija kaq urtë”, tha historiania.

Sipas saj, shoqëria shqiptare ende nuk është gati për një presidente femër pasi jemi shoqëri maskiliste.

“Nuk jemi më pak punëtor se burrat, jemi më shumë se rrisim dhe fëmijët”, shtoi ajo.

Elena vijoi duke thënë se ‘është e neveritur si bëhet politika në Shqipëri’ dhe si ‘bëhen fushatat elektorale’.

“Në Shqipëri nuk ka zgjedhje. Duket si diktaturë. Këto i kanë fituar zgjedhjet duke i rënë defit, legenit, kusisë, duke kënduar, kërcyer. Kanë halle shqiptarët, kanë litrin e naftës më të shtrenjtë në Europë. Politika është të zgjedhësh hallet, e politika në Shqipëri nuk e bën. Unë nuk e ndjej veten në politikë, është zhgënjimi më i madh”, tha Kocaqi.

E pyetur nga moderatorja nëse do të pranonte të ishte pjesë e politikës po të merrte ftesë nga njëra nga partitë e mëdha të vendit, historiania u përgjigj se me këto kushte nuk do e bënte kurrë.

“Duhet një sistem si i Kosovës. Këtu është si e do politika, atëherë nuk do marr pjesë. Nëse do zgjidhte populli, edhe mund të më gënjehej mëndja. Por me ato që kam parë në fushatën elektorale të fundit, niveli skandaloz, jam shokuar. Nuk e di se si njerëzit shkojnë e votojnë. Unë kam pas presion nga njerëzit se pse nuk futesh në politikë, kam me mijëra mesazhe”, vijoi Kocaqi.

Elena u shpreh se fëmijët e saj janë të lumtur që ajo nuk është pjesë e politikës.,

“Edhe fëmijët e mi, thanë shyqyr që nuk u bëre dhe je në shtëpi”, përfundoi historiania e njohur.

Top Channel