Gogu zbardh ndryshimet në Kod: Kufizohet paraburgimi, prokuroria jep provat në favor të të pandehurit, telefonat nuk kontrollohen pa kufi

30/09/2026 11:10

Ditën e sotme Kryeministri Edi Rama dhe Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu do të prezantojnë ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale.

Ministri Gogu shprehu se projektndryshimet synojnë  forcimin e e prezumimit të pafajësisë dhe kufizimin e paraburgimit.

Gogu theksoi gjithashtu se institucionet nuk duhet ta paraqesin një të dyshuar si fajtor përpara vendimit gjyqësor. Reforma, sipas tij, synon të balancojë mbrojtjen e të drejtave të palëve me nevojën për hetime efektive, duke marrë në konsideratë edhe të drejtat e viktimave.

Ndryshimet prekin edhe sekuestrimin e celularëve, duke parashikuar që qasja në të dhënat personale të kufizohet nga vendimi i gjykatës.

“I nderuar Kryeministër, të nderuar përfaqësues të Këshillit të Europës, i dashur Gianluca, të nderuar drejtues dhe përfaqësues të institucioneve të drejtësisë, gjyqtarë, prokurorë e avokatë, përfaqësues të akademisë, shoqërisë civile dhe medias, të nderuar zonja e zotërinj tani tradita më shtrëngon ta nis nga një nen por detyra më ngarkon ta nis nga një njeri këtë prezantim të sotëm dhe po e nis nga një zonjë që punonte në administratën tatimore.

Në nëntor 2013, Afërdita Hysën e akuzuan për shpërdorim detyre. Kur mori dijeni, u paraqit vetë përpara autoriteteve dhe përpara gjykatës, znj. Hysa parashtroi se ishte nënë e dy fëmijëve të vegjël, kishte punuar 15 vjet në administratë shtetërore dhe se dokumentet e hetimit ishin sekuestruar tashmë. Pavarësisht kësaj, gjykatat vendosën lënien në fuqi të masës së sigurimit arrest në burg.  

Afro dhjetë vjet më vonë, Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut shqyrtoi këtë periudhë të parë të paraburgimit të saj, pesë vjet e pesë ditë, dhe konstatoi se gjykatat shqiptare nuk kishin dhënë arsyet e duhura e të mjaftueshme për ta mbajtur znj. Hysa në burg.  Strasburgu nuk tha se dyshimi nuk ekzistonte. Tha një gjë më themelore: dyshimi është fillimi i analizës dhe jo fundi i saj. Kur shteti vendos t’i marrë lirinë dikujt që ende nuk është dënuar, duhet të japë llogari se përse. Pse ekziston rreziku i arratisjes? Pse mund të cenohen provat? Pse mund të përsëritet krimi? Dhe, mbi të gjitha, pse arresti me burg është i domosdoshëm dhe asnjë masë tjetër sigurie më pak kufizuese nuk ekziston dhe nuk mjafton

Kjo pyetje është thelbi i ndryshimeve për caktimin e masave të sigurimit në korpusin e ndryshime që paraqesim sot. Pas pak, ekspertët europianë do t’jua paraqesin imtësisht.

Ndërkohë unë do të ndalem te tri gjëra: e para pse i nevojitet Shqipërisë kjo reformë në këtë moment. E dyta, sa shtrihet ajo dhe e treta, çfarë merr përsipër Ministria e Drejtësisë. Dhe dua ta them që në fillim që teksti nuk është hermetik. Është projekt për konsultim. 

Rasti Hysa na rrëfen se çfarë rrezikon individi. Ndërkohë që të dhënat na dëftojnë përmasën e problemit me të cilin duhet të ballafaqohet i gjithë sistemi ynë i drejtësisë. Sipas të dhënave të Këshillit të Europës në vitin 2024, thuajse gjashtë nga çdo dhjetë të paraburgosur në institucionet tona të ekzekutimit të vendimeve penale ende nuk kishin marrë një vendim të formës së prerë. Pra, gjashtë nga dhjetë të burgosur ende nuk ishin dënuar përfundimisht. Dhe raporti i Shqipërisë ishte më i larti ndaj të gjitha vendet e përfshira në këtë krahasim, në këtë studim që bën këshilli i Europës, ndërkohë që disa vende të rajonit gjenden komplet në krahun e kundërt të renditjes.

Sipas Dokumentit Udhëzues të ekspertëve të Këshillit të Europës, paraburgimi në gjykatat e juridiksionit të përgjithshëm zgjaste mesatarisht 253 ditë ndërsa në ato të posaçëm 616 ditë

Por kjo nuk do të thotë se çdo paraburgim është i gabuar. Aspak kështu, përkundrazi. Ka raste kur arresti në burg është absolutisht i domosdoshëm: kur rreziku i arratisjes është i vërtetë, kur mund të kërcënohen viktimat dhe dëshmitarët. Në këto raste, shteti duhet të veprojë me vendosmëri. Nga ana tjetër, kur sot 2 353 njerëz ndodhen në paraburgim, një pjesë e madhe e tyre presin një vendim përfundimtar, ne duhet të shqyrtojmë kohëzgjatjen, duhet të shqyrtojmë arsyetimin dhe alternativat në funksionimin e sistemit

Natyrisht që nuk i takon as ministrit, as qeverisë, as Parlamentit të përcaktojë se çfarë mase duhet të vendosë gjykata në një çështje konkrete. Po ajo që i takon neve, autoriteteve përgjegjëse ligj bërje është tjetër gjë: a i kemi dhënë gjykatës kritere të qarta dhe alternativa reale për të zgjedhur, në çdo rast, masat e nevojshme dhe proporcionale?

Në pranverën e këtij viti, Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë dhanë një përgjigje të fortë për këtë problem duke thënë se arresti në burg ka karakter përjashtimor; duke thënë se pesha e akuzës nuk mjafton në vetvete; duke thënë se rreziku duhet të jetë konkret e jo abstrakt; dhe prokuroria duhet të përligjë pse asgjë më pak se burgu nuk mjafton.   Të njëjtin standard ka vendosur edhe Strasburgu, ndaj ne kërkojmë ta shprehim më qartë në Kodin e Procedurës Penale dhe drejtësia duhet të marrë parasysh se një arsye që ekzistonte në ditën e parë mund të jetë fashitur në muajin e gjashtë. Paraburgimi është pjesa më e dukshme e kësaj reforme, por jo e vetmja. Një pjesë e këtyre garancive ekzistojnë tashmë por projekti synon t’i qartësojë dhe t’i bëjë më lehtësisht më të zbatueshme, më të përdorshme për palët në proces.

Ne propozojmë që prokurori të ketë detyrimin të dokumentojë dhe të vërë në dispozicion edhe provat në favor të të pandehurit, ndërsa mbrojtjes t’i njihet e drejta për të hetuar. Hetimi tanimë do të ketë një fillim formal sipas propozimeve dhe një objekt të përcaktuar. Kush thirret si dëshmitar, ndërkohë që trajtohet si i dyshuar, duhet ta gëzojë mbrojtjen që i takon të dyshuarit.

Sekuestrimi i një telefoni personal nuk do të japë më të drejtën për qasje të pakufizuar në të dhënat vetjake, por vetëm në pjesën që miraton gjykata. Dhe instancat publike nuk do të mund ta paraqesin të dyshuarin si fajtor, përpara se të jetë shprehur gjykata. Prezumimi i pafajësisë duhet të mbrohet njëlloj si e drejta e publikut për t’u informuar dhe funksionimi i lirë i shtypit.  Dhe këto rregulla janë të njëjta për këdo që është duke u përballur me drejtësinë, qytetari i zakonshëm dhe zyrtari.

Këtë tekst e ka ndikuar drejtpërdrejt ekspertiza europiane. Gjatë konsultimit do të shqyrtojmë me shumë kujdes çdo propozim që synon mbrojtjen e të drejtave të palëve dhe aftësinë e institucioneve për hetime të efektshme.   Kjo reformë nuk e harron as viktimën. Në rastet e dhunës në familje, gjykatës do t’i jepet e drejta ta largojë menjëherë nga banesa personin e dyshuar për dhunë, do ta ndalojë afrimin me viktimën dhe ta mbajë në mbikëqyrje, madje edhe kur vepra është nën pragun e përgjithshëm të dënimit.

Garancia pasurore do të caktohet sipas gjendjes financiare të personit, në mënyrë që liria të mos mbetet privilegj i atij që paguan dhe kur ka rrezik për provat, liria nuk do të blihet me para.   Ekspertët që janë sot të pranishëm dhe do të bëjnë një prezantim na kanë thënë edhe diçka që duhet ta dëgjojmë me përulësi: ligji i vetëm, nuk e ndryshon praktikën. Ndaj, Ministria sot merr të gjitha përgjegjësive të veta pasi ndërsa ne flasim askush nuk gjendet nën mbikëqyrje elektronike siç parashikon ligji.

Një alternativë që ekziston vetëm në ligj nuk është kurrfarë alternative. Ndaj rikthimi i saj në praktikë na takon ne, jo gjykatës. Qeveria ka ndarë tashmë fondet për zbatimin e monitorimit elektronik, dhe ne angazhohemi ta vëmë atë në funksion brenda pranverës së ardhshme.  

Po aq rëndësi kanë regjistrimi audioviziv i marrjes në pyetje dhe kuadri për provën digjitale. Por krijimi i kushteve për to, në pajisje, në ekspertizë dhe kohë, na detyron të jemi pragmatikë për hyrjen e tyre në fuqi të ligjit.

Ndërkohë do t’u propozojmë Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë që të bëjnë një hartim, të hartojnë së bashku një strategji të përbashkët për paraburgimin, me objektiva: cilësinë e arsyetimit, shqyrtimin në kohë, funksionimin e alternativave dhe transparencën e të dhënave.

Projekti që paraqesim sot nuk është fjala e fundit. Pikërisht brenda orarit zyrtar të ditës së sotme, projekti do të ngarkohet në platformën e konsultimit publik. Presim komentet tuaja të nderuar, të e gjyqtarëve, prokurorëve, avokatëve, akademikëve, shoqërisë civile dhe të gjitha palëve të interesuara deri më 28 tetor, kështu që mund të vazhdojmë të ecim përpara me projektin. 

Pra sot e publikojmë atë bashkë me relacionin shpjegues. Në vijim, do të botojmë edhe një përmbledhje të të gjitha komenteve dhe të mënyrës sesi do ti trajtojmë ato. Ky Kod duhet të marrë trajtë nga ju që e zbatoni atë.  

Në mbyllje, doja të kthehesha përsëri te Afërdita Hysa, jo për të vendosur fajësinë apo pafajësinë e saj se nuk është kjo detyra jonë sot. Por për të kujtuar pesë muajt dhe pesë ditët që shqyrtoi Strasburgu.

Koha në liri ka një kuptim tjetër nga koha brenda qelisë. Dhe pesë muaj për çdo njeri të lirë mund të jenë veçse pesë faqe nga një kalendar xhepi. Kurse për Afërditën, të privuar nga liria, ishin pesë muaj larg fëmijëve të saj, larg punës, larg jetës së përditshme.  

Nëse shteti vendos ta marrë atë kohë përpara një vendimi të formës së prerë, duhet të ketë arsye të fortë për secilën ditë.   Neni 5 i Konventës Europiane që mbron dhe lirinë dhe sigurinë e personit nga privimi arbitrar i lirisë është dhe kufiri që shteti duhet të respektojë kur përmbush detyrën e vet për të mbrojtur gjithë shoqërinë.  

Ndaj sfida nuk është të zgjedhësh ndërmjet lirisë së njeriut dhe sigurisë së shoqërisë. Sfida e shtetit të së drejtës është t’u dalë për zot të dyjave. Ta ndjekë krimin pa i hyrë në hak prezumimit të pafajësisë por të mbrojë shoqërinë pa e trajtuar akuzën si dënim. Një drejtësi që tregon të njëjtën forcë ndaj krimit dhe gjithashtu ndaj mbrojtjes së lirisë. Besoj që është standardi me të cilin qytetari ka për ta gjykuar drejtësinë tonë dhe ndaj e mbyll me këtë test duke ju falënderuar të gjithëve për vëmendjen”, shtoi ministri i Drejtësisë.

 

Top Channel