Gjyqtarët Sandër Simoni dhe Arbena Ahmeti “kokë më kokë” me vota të barabarta, zgjidhen tre anëtarët më të rinj në KLGJ
Bashkimi Europian nuk e ka komentuar drejtpërdrejt dosjen e Vlora Hysenit, por nga Brukseli ka ardhur një mesazh i qartë: Komisioni Europian shpreh besim të plotë te SPAK për hetimin dhe ndjekjen penale të krimit të organizuar.
I pyetur lidhur me çështjen ku është përfshirë ish-drejtuesja e SHISH dhe masën e sigurisë “arrest në shtëpi” të vendosur ndaj saj, zëdhënësi i Komisionit Europian për zgjerimin, Guillaume Mercier, u shpreh se Brukseli nuk komenton çështjet që janë ende në proces. Mercier mban zyrtarisht detyrën e zëdhënësit të Komisionit për zgjerimin.
Megjithatë, pas këtij qëndrimi për rastin konkret, ai përcolli një mesazh të drejtpërdrejtë në lidhje me institucionin që po kryen hetimet.
“Ne nuk komentojmë çështje që janë në proces, por ajo që mund të themi është se ne i ndjekim nga afër zhvillimet që lidhen me shtetin e së drejtës, veçanërisht reformat në drejtësi dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, fusha në të cilat Shqipëria ka bërë përparim të konsiderueshëm”, deklaroi Mercier.
Zëdhënësi i Komisionit Europian vijoi duke shprehur në mënyrë të qartë mbështetjen për SPAK:
“Kemi besim të plotë tek aftësia e Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e njohur si SPAK, për të zbuluar, hetuar dhe ndjekur penalisht krimin e organizuar”, tha ai.
Pra, Brukseli nuk shprehet mbi fajësinë apo pafajësinë e Vlora Hysenit dhe nuk merr qëndrim për provat e përfshira në dosje. Në planin institucional, megjithatë, qëndrimi i tij është i qartë në mbështetje të SPAK dhe vijimit të hetimit.
Mercier bëri të ditur gjithashtu se kontaktet me autoritetet shqiptare vijojnë.
“Në një këndvështrim më të gjerë, ne jemi gjithmonë në kontakt me homologët shqiptarë”, tha zëdhënësi i BE-së.
Për një vlerësim më të gjerë të Brukselit mbi situatën në Shqipëri, zëdhënësi iu referua raportit të ardhshëm të zgjerimit.
“Sa i përket vlerësimit tonë për situatën, ju e dini që raporti për zgjerimin do të publikohet në javët në vijim”, përfundoi Mercier.
Ndërsa në Tiranë dosja e ish-drejtueses së SHISH është shndërruar në një përplasje të fortë politike, nga Brukseli vjen një qëndrim institucional: nuk ka koment për çështjen konkrete dhe nuk ka paragjykim të procesit, por ka besim të deklaruar te SPAK për hetimin e saj deri në fund.
Top Channel