“Pinte kafe çdo javë me ish-kreun e SPAK te zyra e tij”/ Urdhër-arresti ndaj Vlora Hysenit, gazetari Qyno në ‘Top Story’: Dumani hetoi edhe Fatos Klosin, por ai mori pafajësinë

22/09/2026 22:59

Gazetari Elton Qyno ka komentuar mbrëmjen e sotme në ‘Top Story’ urdhër-arrestin e SPAK për kreun e SHISH, Vlora Hyseni.

Qyno ka treguar se Vlora Hyseni, një herë në javë pinte kafe me Altin Dumanin tek zyra e tij, ndërsa shkonte për të raportuar mbi informacionet që siguronte për grupet kriminale.

Gazetari Qyno u shpreh se Hyseni ishte shkarkuar nga detyra në Kosovë me dy dekrete presidenciale, pastaj u kthye në Shqipëri, ku e nisi karrierën e saj si këshilltare në Kryeministrisë, pastaj në krye të SHISH.

Qyno solli në vëmendjen edhe faktin se ky nuk është rasti i parë, pasi Dumani ka hetuar dhe çuan në gjyq edhe ish-drejtuesin e SHISH, Fatos Klosin, i cili më pas mori pafajësinë.

“Rasti është shumë i rëndë, për herë të parë në historinë goditet një drejtues që është ajka e informacionit dhe inteligjencës dhe goditet në detyrë. Kemi pasur raste të tjera, nga Çollari që janë burgosur, te Fatos Klosi që është proceduar, Klosin e ka hetuar dhe e ka çuar në gjyq Dumani, pastaj ai mori pafajësinë. Klosi ka marrë pafajësi nga gjykata për akuzën e shpërdorimit të detyrës për 15 tendera.

Vijmë sërish te drejtuesja e SHISH-it, te i njëjti prokuror Dumani, që ngre akuza në krye të detyrës. E nisi karrierën në Kosovë, te shërbimi informativ. Pasi e shkarkoi Kurti, kjo grua futet në një detyrë të bukur si këshilltare te kryeministri, pastaj emërohet në krye të SHISH-it.

Unë e kam lexuar si një trajektore që, pasi pati një histori dështimi në Kosovë, këtë histori erdhi dhe e katapultoi në Shqipëri, jo nga meritat, por me lidhjet e forta që kishte me qeverinë e Kosovës dhe Ramës sot. Kjo ishte e implikuar me struktura të errëta të shërbimit sekret të Beogradit, u përcoll pastaj me lehtësi, iu bënë dy dekrete presidenciale. Nuk është fortë zotësi dhe aftësi për të qenë në krye të shërbimeve sekrete, por një naivitet.

Ideja është që kjo hyri në SHISH, një shërbim që ka historinë e vetë dhe figurat e veta kontroverse.

Rasti i kësaj e fut dhe e klasifikon në dy raste të veçanta në të gjithë botën, që arrestohen në krye të detyrës, një në Ruandë dhe një në Bosnje-Hercegovinë. Ne jemi rasti i tretë. Arrestohen në detyrë.

Të çosh shefin e shërbimit inteligjent në ndjekje penale për dy akuza, si përkrahja e autorit të krimit dhe nxjerrja e sekretit hetimor i personit që ka detyrë ta ruaj atë, ky është vetëm një rast. Pyetja është sa herë mund ta ketë bërë këtë gjë me individë të tjerë.

Kjo zonja, një herë në çdo javë, vinte te Dumani dhe pinin kafe te zyra e tij. Kishte për detyrë ta informonte për çdo lloj informacioni që kishte për grupet kriminale. Pastaj ajo informonte edhe Ministrinë e Mbrojtjes, bashkëvepronte me Shërbimin Informativ Ushtarak”, u shpreh Qyno.

Top Channel