“Ta bëjmë Suedinë, sërish Suedi”/ Ekstremi i djathtë hyn për herë të parë në qeveri?

12/09/2026 15:17

Suedia po përballet edhe ajo me një rritje të ekstremit të djathtë: Vendi skandinav voton të dielën në zgjedhjet e përgjithshme, ku gara është tmerrësisht e ngushtë e sipas analistëve, për të parën herë e djathta ekstreme mund të hyjë në qeveri, nëse partitë e krahut të djathtë arrijnë të sigurojnë shumicën.

Një sondazh i Dagens Nyheter/Ipsos tregon se ka vetëm vetëm 0.3 pikë diferencë mes aleancës së qendrës së majtë, që pretendohet të marrë 175 mandate dhe bllokut te djathte që mund të sigurojë 174 vende në parlament.

Social-demokratja Magdalena Andersson shihet si favorite për një rikthim në postin e kryeministres, megjithatë avantazhi i saj është ngushtuar ndjeshëm ditët e fundit.

Në vitin 2022, kryeministri aktual Ulf Kristersson dhe partia e tij e të Moderuarve thyen një tabu të hershme, duke bashkëpunuar me Demokratët e Suedisë, SD, që është parti e të djathtës ekstreme.

SD ka arritur të ketë një ndikim të madh, veçanërisht në politikat e lidhura me emigracionin dhe kriminalitetin. Tani Kristersson premton t’u japë edhe poste ministrore nëse e djathta fiton sërish.

Ekspertët e të drejtave civile paralajmërojnë se një hyrje e SD-së në qeveri mund të dëmtojë më tej reputacionin tradicional të Suedisë si një nga mbrojtëset kryesore të të drejtave të njeriut.

Politikat e qeverisë tashmë janë bërë më të ashpra me deportime të shumta, ulje të moshës së përgjegjësisë penale dhe masa më të rrepta ndaj emigracionit.

SD kërkon ndër të tjera uljen e mëtejshme të imigracionit, heqjen e lejeve të përhershme të qëndrimit dhe politika më të ashpra ndaj personave me prejardhje të huaj, teksa slogani i saj është: “Ta bëjmë Suedinë sërish Suedi.”

Top Channel