Shpërthimi në karburantin te Brryli. Policia shoqëron 4 persona, mes tyre administratori i biznesit dhe drejtuesi teknik

09/09/2026 11:32

Katër persona janë shoqëruar nga policia në kuadër të hetimeve për shpërthimin e fuqishëm të ndodhur mëngjesin e sotëm në një karburant në zonën e Brrylit në Tiranë.

Gazetarja e Top Cannel, Dorjana Bezat, raporton se bëhet fjalë për drejtuesin e automjetit që po furnizohej me gaz në momentin e shpërthimit, menaxherin, administratorin dhe drejtuesin teknik të pikës.

Shoqërimet janë kryer në kuadër të hetimit për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe përcaktimin e përgjegjësive për ngjarjen, e cila shkaktoi plagosjen e tre punonjësve dhe dëme të konsiderueshme materiale.

Sipas të dhënave paraprake të Policisë, dyshohet se shpërthimi ka ndodhur gjatë kohës që një automjet po furnizohej me karburant, ndërsa në ambientet e pikës kishte pasur rrjedhje gazi.

Tre punonjësit e karburantit të dëmtuar nga ngjarja janë transportuar në Spitalin Universitar të Traumës dhe, sipas Ministrisë së Shëndetësisë, ndodhen në gjendje të stabilizuar dhe jashtë rrezikut për jetën.

 

Top Channel