Ekskluzive/ “Në atë zonë ka një leje ndërtimi”, përplasja për pronën në Palasë, AZHT për Top Story: Kemi vënë kusht për dy aplikimet e Delta dhe Regina, vetëm nëse…
Analisti Arjon Sulo ngriti në “Top Story” pikëpyetje mbi ndërhyrjen e shtetit në konfliktin për pronën në Palasë, duke e krahasuar rastin me atë të Zvërnecit.
Sipas tij, kemi dy situata të ngjashme, por dy standarde të ndryshme të ndërhyrjes së shtetit.
“Diçka tjetër fshihet. Po ta marrim paralel me Zvërnecin, ai thotë: ‘Shteti s’ka konflikt me këtë. Është tokë private’. Kemi të njëjtën ngjarje me dy standarde”, deklaroi Sulo.
Sipas analistit, në rastin e Zvërnecit projekti ka vijuar pa një ndërhyrje të shtetit për shpronësim, ndërsa në Palasë është zgjedhur një rrugë tjetër.
“Atje është bërë deal-i që do jepet, do vazhdojë projekti, nuk ka ndërhyrje shteti për shtetëzim. Në këtë rast, ngaqë ua ka premtuar të dyve, që desh u vranë në mes të qytetit, dhe të binin të dy, ndërhyri ky tani me ligjin e askujt. Nuk ka interes publik, është toka ime, thotë ai. Ku është ky interesi publik? Ishte leja në proces, si do kujtohesh ti për interesin publik? Ato lekë do t’i marrin ata, të shpronësimit, dhe do t’i marrin edhe në gjykatë. Është tokë private”, shtoi ai.
Në diskutim ndërhyri edhe analisti Alban Dudushi, i cili u ndal te përgjigjet e institucioneve dhe te fakti që, sipas tij, si Kadastra ashtu edhe institucionet e përfshira nuk kanë vijuar më tej me procedurat pasi kanë konstatuar problematikën me pronën.
Dudushi argumentoi se dokumentet e bëra publike tregojnë ekzistencën e një konflikti, por sipas tij përplasja ka marrë më shumë karakter personal sesa juridik.
“Të gjitha kleçkat, nga përgjigjet u kuptua që as Kadastra, as AZHK nuk kanë shkuar më thellë, sepse e kanë parë që ka problem. Kjo u tha në përgjigje. Këtyre u është bllokuar një investim që kishin në mendje ta bënin dhe pastaj plasi sherri. Në bazë të letrave shohim që ka një konflikt që, më shumë sesa juridik, është një konflikt personal që e pretendojnë të dyja palët. Njëri i ka thënë tjetrit: atë zonën aty e kam me letra, tërhiqu ti”, tha Dudushi.
Pjesë nga diskutimi:
Sulo: E kanë lënë me qëllim vetë që ta shesë ose shpërblejë ky, e betonizoi fare te klientela, prandaj nuk e regjistron.
Cakuli: Po të ketë klientelë, e regjistron.
Dudushi: 1 njeri që ka një copë tokë nuk e investon dot dhe do kërkojnë investitorin e do bëjë dealin.
Sulo: Ndoshta e kundërta, unë nuk e nxjerr dot hipotekën dhe vjen investitori dhe thotë ta nxjerr unë, shteti mua s’ma jep letrën edhe pse e kam të gjyshit.
Rakipllari: Pse nuk ia jep shteti pronën atij që e ka dhe ai pastaj të negociojë me investitorin dhe jo të shkojë investitori e ta shkelë me këmbë e i thotë unë e regjistroj pronën jo ti, sot në hipotekë e regjistron pronën ai që ka para, që ka krimin, prandaj nuk regjistrohet sot sepse duhet ta marrë ai që duhet ta marrë.
Filipi: Ose të çon në gjykatë e do presësh 20 vjet dhe pronari vdes.
Top Channel