Vendimi erdhi në orët e natës pas shkarkimit të Fabio Grossos, që pagoi shtrenjtë fillimin katastrofik të sezoni me 3 humbje në po kaq ndeshje kampionat; në pankinën e skuadrës violë kthehet Paolo Vanoli të cilin klubi nga Firenze e largoi në fund të sezonit të kaluar edhe pse Fiorentina arriti të sigurojë qëndrimin në Serie A.

Drejtuesit e klubit violë janë të bindur se është pikërisht Vanoli zgjidhja më e drejtë në këtë moment të veçantë, për të ringritur skuadrën dhe për të rigjetur besimin dhe rezultatet. Fiorentina nuk humbi kohë, duhet ndryshuar tendenca pas një fillimi kaq të dobët me 3 humbjet e pësuara ndaj Romës, Frosinones dhe Torinos dhe me vetëm 1 gol të shënuar dhe 9 të pësuar. Një ndryshim që duhet bërë që në transfertën e së premtes ndaj Venezias.

Aventura e Grossos në stolin e Fiorentinës nisi mjaft mirë me një fitore bindëse në Kupën e Italisë ndaj Beneventos dhe më pas skuadra violë ‘u shemb’ krejt me Grosson që ia lë postin e tij Vanolit, për të cilin është gati një kontratë 1-vjeçare me opsion zgjatjen e saj edhe për një vit tjetër.

Mësohet se vendimtare në ndërprerjen e bashkëpunimit mes Fiorentinës dhe Grossos u bë një përplasje e fortë mes trajnerit dhe Drejtorit Sportiv, Fabio Paratici që ndodhi rreth orës 23:00 të së dielës dhe të mendosh që ish kampioni i botës ishte zgjedhja e parë e Paratici për pankinën e Fiorentinës.

Ish trajneri i skuadrës violë dhe drejtuesi i klubit patën divergjenca të forta dhe të pariparueshme për menaxhimin e krizës në skuadër të cilat iu shtuan atyre që u shfaqën gjatë periudhë së merkatos së transferimeve për ndërtimin e skuadrës. Ndërkaq në ndeshjen e së shtunës pas humbjes me Torinon, Fabio Grosso u kontestua edhe nga tifozët që kërkuan largimin e tij nga stoli.

Top Channel