“Gjithmonë mendoj se jam më i miri”/ Mbappe nuk fshihet: Këtë vit synoj Topin e Artë
Kylian Mbappé është gati për rikthimin në skenën e Ligës së Kampionëve, teksa Real Madridi përballet me Interin në një sfidë të rëndësishme europiane.
Sulmuesi francez foli në konferencën për shtyp në prag të ndeshjes, duke theksuar motivimin e madh për të luajtur sërish në kompeticionin më prestigjioz për klube.
“Jam shumë i lumtur që po rikthehem duke luajtur në Ligën e Kampionëve. Ne gjithmonë i afrohemi këtij kompeticioni me motivim dhe entuziazëm. Jemi në formë të mirë. Do të luajmë një ndeshje shumë të vështirë, por kjo është Liga e Kampionëve dhe është një kënaqësi”, u shpreh Mbappé.
I pyetur për zërat dhe opinionet që qarkullojnë rreth Real Madridit dhe marrëdhënies së tij me Vinícius Jr., Mbappé u tregua i qartë:
“Është vetëm një mendim midis miliona zërave që ekzistojnë për Real Madridin, klubin më të madh në botë. Nuk mund të kontrolloj gjithçka që thuhet. Kemi të njëjtin qëllim, që është të fitojmë tituj. Nuk mund të kontrollojmë mendimet e njerëzve. Ne dëgjojmë, përpiqemi të përmirësohemi dhe ecim përpara.”
Një pjesë e rëndësishme e konferencës ishte edhe gara për Topin e Artë. Mbappé pranoi se të luash për Real Madridin e vendos në mënyrë të pashmangshme në mesin e kandidatëve për çmimin prestigjioz.
“Kur luan për Real Madridin, i cili është klubi më i mirë në botë, emri yt shoqërohet në mënyrë të pashmangshme me këto çmime. Kur njerëzit më takojnë në rrugë, ata flasin për këtë. Është një njohje shumë pozitive për çdo lojtar.”
Top Channel