Nënë Tereza, simbol i mëshirës, bota kujton Shën Terezën, shenjtoren shqiptare që ia kushtoi jetën të varfërve

05/09/2026 12:40

Në Meshën e Kanonizimit për Shën Terezën më 4 shtator 2016, Papa e quajti përcjellëse të mëshirës hyjnore që ndriçon errësirën që na rrethon. Misioni i saj vuri në dukje Ati i Shenjtë, “mbetet dëshmi e afërsisë së Zotit me më të varfrit”.

Në 5 shtator, Kisha Katolike feston Shën Nënë Terezën, datën që shënon edhe ndarjen e saj nga jeta. Misionaret e Bamirësisë e kremtojnë këtë ditë me agjërim dhe lutje.

“Me gjak, unë jam shqiptare. Me shtetësi, jam indiane. Me besim, unë jam një murgeshë katolike. Sipas profesionit tim, unë i përkas botës”, shprehej Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, që lindi në 1910 në Shkup nga prindër shqiptarë.

Në 1929, Nënë Tereza shkoi si misionare në Kalkuta të Indisë. Më tej, themeloi shtëpi misionare në vendet e kampit socialist, përfshirë republikat e ish-Bashkimit Sovjetik, Kubën dhe vende të tjera, duke përhapur mesazhin e saj të mëshirës përtej kufijve ideologjikë.

Deri në vitin 1990 ajo kishte hapur 456 qendra në më shumë se 100 vende të botës. Figura e Nënë Terezës u bë e njohur në mbarë botën, ku fitoi dashurinë e të gjithëve dhe në 1979 mori Nobelin për Paqe. Ndërsa në tetor 2003, Papa Gjon Pali II e shpalli të Lume, duke e vendosur figurën e saj në altarin e Kishës si shembull të gjallë të dashurisë dhe përkushtimit ndaj më të varfërve.

Sot Urdhri i Nënë Terezës mbi 100 mijë vullnetarë të cilët veprojnë në rreth 100 vende të botës. Personalitete të politikës dhe jetës akademike kujtuan sot Shën Terezën përmes shprehjeve të saj dhe mrekullive që iu njohën Shenjtores që u përkul mbi të varfrit, mbi të sëmurët dhe mbi çdo njeri që kishte nevojë për mbështetje dhe dashuri.

Top Channel