Rikthehet Festivali i Filmit/ Pas 14 vitesh mungesë, rreth 100 filma shqiptarë konkurrojnë në Tiranë

03/09/2026 15:34

Pas 14 vitesh mungesë, Tirana mirëpret sërish Festivalin Kombëtar të Filmit

“Sot nuk prezantojmë thjeshtë një festival, sot rikthejmë një takim mes kinemasë shqiptare, artistëve, publikut, të munguar prej shumë kohësh”, u shpreh producentja e Festivalit, Rafaela Rica.

Rreth 100 filma konkurrojnë në edicionin e 14-të të Festivalit, të ndara në në kategoritë e filmit të gjatë, të shkurtër, dokumentarit dhe animacionit. Gjatë 10 ditëve, nga sot deri në 12 shtator, kineastët shqiptarë do të ballafaqohen me publikun, që nuk ka pasur mundësinë të njihet me prodhimet kinematografike shqiptare të viteve të fundit.

“Marrin pjesë 39 filma të gjatë. Janë filma që kanë pasur një rrugëtim të gjatë sepse janë prodhuar vite më parë. Ka dhe filma premierë. 14 janë vepër e parë, një investim i rëndësishëm për një brez që është i ri me shpalosjen e koncepteve të reja me autorë që për herë të parë realizojnë filma në këtë kategori”, tha drejtori artistik i Festivalit, Ilir Butka.

Çmimet do të ndahen nga juria zyrtare, publiku, por dhe Akademia e Filmit, që Festivali e ka future si risi në përjekje për të ndjekur shembuj nga shtete me kinema të zhvilluar si Italia apo Franca.

“Secili prej tyre është punonjës në një nga sektorët e kinemasë, që do të gjykojnë për kolegët dhe produktet e realizuara. Do të japë 15 çmime, ndërkohë që juria zyrtare do të japë 11 çmime”, tha Butka.

Duke pranuar problemet me fondet e pamjaftueshme, drejtori i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë e sheh Festivalin një mundësi për kineastët të bisedojnë me publikun, të marrin propozime dhe kritika.

“Mundësia jonë ka qenë e vogël, por dëshira e madhe për të mbështetur produkte të ndryshme filmike, ide të ndryshme dhe për t’i sjellë në jetë që sot të vijnë përpara publikut”, u shpreh drejtori i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, Jonid Jorgji.

Festivali nis sonte me nderimin e kolosëve të kinemasë shqiptare, ndërsa përgjatë 10 ditëve, filmat do të shfaqen në Universitetin e Arteve, në kinemanë “Agimi”, te Piramida dhe te Biblioteka e Hapur “Tirana Moon”.

Top Channel