Situatë alarmante me zjarrin në Bulqizë, flakët përfshijnë pyjet e Qafë Helmesit, nis ndërhyrja me helikopter nga ajri Duke nisur nga dita e sotme, trombektomia është një shërbim i disponueshëm për qytetarët në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, një investim i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, i cili shënon një hap të rëndësishëm në zgjerimin dhe modernizimin e shërbimeve të neuroradiologjisë intervenuese në vend.
Instalimi i Angiografit Biplanar dhe krijimi i Kabinetit të Radiologjisë Intervencionuese mundësojnë diagnostikimin dhe trajtimin endovaskular të insultit ishemik akut përmes trombektomisë mekanike, si dhe trajtimin e patologjive të tjera vaskulare e cerebrovaskulare, përfshirë aneurizmat, përmes procedurave të avancuara si angiografia digjitale me substraksion (DSA).
Gjatë inspektimit në ambientet e shërbimit të ri, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, prof. Evis Sala, u ndal në mënyrën e funksionimit të shërbimit, i cili do të ofrohet 24 orë në ditë, në bashkëpunim me neurologët, neurokirurgët, terapinë intensive dhe Shërbimin e Strokut.
“Që sot, trombektomia është në shërbim të qytetarëve në Qendrën Spitalore Universitare ‘Nënë Tereza’. Është një shërbim i strukturuar dhe i integruar i neuroradiologjisë diagnostikuese dhe intervenuese, që do të thotë se, përmes aparaturave moderne, mundësohet jo vetëm diagnostikimi, por edhe trajtimi i rasteve të insultit ishemik nëpërmjet trombektomisë mekanike. Në këtë shërbim do të trajtohen edhe patologji të tjera me origjinë vaskulare, si aneurizmat, të cilat deri më sot nuk trajtoheshin”, sqaroi ministrja Sala.

Ajo theksoi se investimi nuk përfshin vetëm teknologjinë, por edhe ngritjen dhe trajnimin e një ekipi të specializuar mjekësor, përfshirë neuroradiologët intervenues, infermierët dhe teknikët, për garantimin e cilësisë së shërbimit.
Në kuadër të zgjerimit të mëtejshëm të kapaciteteve, brenda vitit 2026 në Shërbimin e Neurokirurgjisë do të instalohet edhe akseleratori linear për trajtimin e pacientëve me tumore të trurit.
Me një potencial prej rreth 200 procedurash të avancuara endovaskulare në vit, Angiografi Biplanar dhe Kabineti i Radiologjisë Intervencionuese forcojnë kapacitetet e QSUT për trajtimin e patologjive komplekse neurovaskulare, duke sjellë në vend mundësi të reja për ndërhyrje të shpejta, të sigurta dhe të avancuara.
Ky investim përbën një hap të rëndësishëm drejt një sistemi shëndetësor më modern, më të specializuar dhe më pranë pacientit, duke sjellë në Shqipëri mundësi të reja për ndërhyrje të shpejta, të sigurta dhe të avancuara.
Top Channel