Shëtitorja “kantier” në Durrës, ndalet investimi 3 milionë euro për “Taulantian”, qytetarët të ndarë për pamjen e re

24/08/2026 19:53

Këtë sezon turistik, një nga zonat më të frekuentuara të Durrësit, shëtitorja bregdetare “Taulantia”, vijon të ofrojë pamjen e një kantieri ndërtimi ku nuk punohet, ndërsa parashikohej që investimi transformues të përfundonte në muajin maj, para sezonit.

Investimi prej 3 milionë eurosh i Fondit Shqiptar të Zhvillimit ka tejkaluar afatet. Përveç vonesave, vëmendje ka tërhequr edhe koncepti i projektit, i hartuar nga një studio spanjolle arkitekture.

Struktura prej betoni, 215 metra e gjatë, për projektuesit është një hapësirë dekorative që ofron hije, ndërsa qytetarët ndajnë qëndrime të ndryshme. Disa e vlerësojnë ndërhyrjen, por shumë të tjerë e kritikojnë se po betonizon bregdetin dhe sjell elemente të njohura në kultura të tjera. Projekti përfshin edhe zgjerimin e pedonales, ndriçimin dhe mbrojtëset nga dallgët.

Sipas burimeve pranë FSHZH-së, punimet janë pezulluar në zbatim të VKM-së për ndalimin e punimeve të ndërtimit në zonat turistike gjatë muajit gusht deri më 15 shtator, ndërsa kontrata e zbatimit është shtyrë dhe përfundimi i projektit pritet më 27 nëntor, në prag të festave kombëtare.

Top Channel