Festa e Shën Kozmait në Myzeqe, pelegrinë nga i gjithë vendi mblidhen në manastirin e shenjtorit në Kolkondas

24/08/2026 12:23

Kanë nisur mbrëmjen e djeshme në Kolkondas të Fierit festimet në nderim të Shën Kozmait të Etolisë, një prej ngjarjeve më të rëndësishme të kalendarit fetar në Myzeqe.

Besimtarë dhe pelegrinë nga zona të ndryshme të Shqipërisë janë mbledhur në Manastirin e Shën Kozmait në Kolkondas, për t’u lutur dhe për të nderuar kujtimin e shenjtorit.

Festimet kulmojnë sot, më 24 gusht, në ditën kushtuar Shën Kozmait të Etolisë dhe përkujtimit të martirizimit të tij.

Gjatë ditës së sotme në manastir zhvillohen ceremonitë kryesore fetare, me pjesëmarrjen e klerikëve, drejtuesve të Kishës Ortodokse dhe një numri të madh besimtarësh.

Pelegrinët kanë udhëtuar drejt Kolkondasit për të marrë pjesë në shërbesat fetare dhe për të nderuar figurën e Shën Kozmait, një nga shenjtorët më të njohur të traditës ortodokse.

Manastiri i Shën Kozmait në Kolkondas mbetet prej vitesh një prej qendrave kryesore të pelegrinazhit në Myzeqe, duke bashkuar në këtë periudhë të vitit besimin fetar me historinë dhe traditën e zonës.

Festimet për Shën Kozmain janë kthyer tashmë në një traditë të përvitshme, duke sjellë në Kolkondas besimtarë nga i gjithë vendi.

Top Channel