Rreth 2 milionë rasatë Koran janë hedhur në liqenin e Ohrit, në Pogradec, në kuadër të përpjekjeve për pasurimin e faunës ujore dhe mbrojtjen e kësaj specieje endemike me rëndësi të veçantë për ekosistemin dhe ekonominë e zonës.
Hedhja e rasatit është zhvilluar në ditën kur Pogradeci organizon Festën e Koranit, një aktivitet që tashmë është kthyer në traditë për qytetin liqenor.
Nisma synon të ndihmojë në ruajtjen dhe shtimin e popullatës së Koranit në liqenin e Ohrit, duke kontribuar në mbrojtjen e kësaj pasurie të rëndësishme natyrore.
Në shëtitoren buzë liqenit, restorantet dhe shefat e kuzhinës kanë prezantuar pjata tradicionale me në qendër Koranin.
Tava e Koranit vijon të jetë ndër gatimet më të kërkuara nga turistët që vizitojnë Pogradecin, duke e bërë këtë specie pjesë të rëndësishme edhe të traditës gastronomike të qytetit.
Hedhja e rasatit të Koranit nisi disa vite më parë si një iniciativë e përbashkët mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, me synimin për të mbrojtur dhe shtuar këtë specie në liqenin e Ohrit.
Prej disa vitesh, procesi është vijuar nga pala shqiptare, e cila ka rritur sasinë e rasatit të hedhur në liqen.
Nisma shihet si një përpjekje për të garantuar ruajtjen dhe ripërtëritjen e Koranit, si një pasuri e përbashkët natyrore dhe një element me rëndësi për ekosistemin, turizmin dhe ekonominë lokale të zonës së Pogradecit.
Top Channel